E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Rama, lideri i së ardhmes

Tiranë- Kryetari i Bashkisë së Tiranës priti në një takim të veçantë Kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi, i cili dha vlerësimet maksimale, duke e cilësuar Ramën, si liderin e së ardhmes. Kjo ka qenë vizita e parë e tij pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Duke e cilësuar vizitën e Kryeministrit të Kosovës një privilegj, Kryetari i Bashkisë së Tiranës i uroi mirëseradhjen Kryeministrit Thaçi në emër të gjithë qytetarëve të Tiranës duke i dhuruar “Çelësin e Qytetit”, simbolin e mikëpritjes për të dhe për të gjithë kosovarët.

“Ishte vizita më e veçantë qysh kur unë jam Kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe ishte një privilegj për mua që historia e desh që të isha unë bashkë me ekipin e bashkisë që të prisnim Qeverinë e parë të Pavarësisë dhe Komandatin e djeshëm të Luftës Çlirimtare dhe Kryeministrin e sotëm të Kosovës, të cilin pata nderin në emër të të gjithë qytetarëve të Tiranës t’i shpreh mirëseardhjen dhe t’i dhuroj “Çelësin e Qytetit”, si shenjë simbolike të mikëpritjes për të dhe për të gjithë shqiptarët e Kosovës, në këtë qytet që është qyteti i tyre, që është vendi ku kanë lindur dhe janë kultivuar ambicjet e Shqipërisë dhe Kosovës europiane”- u shpreh Kryetari i bashkisë së Tiranës Edi Rama.

Nga ana e tij Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi e cilësoi Ramën si liderin e së ardhmes dhe modelin e ndryshimeve në rajon. “Për mua është një kënaqësi dhe është një nder. Unë jam mirënjohës në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës e dua të veçoj se ashtu siç e keni ndryshuar Tiranën, do ta ndryshoni për të mirë të gjithë Shqipërinë. Ishte një kënaqësi të bashkëbisedonim me liderin e ardhshëm të Shqipërisë e natyrisht me njeriun e ndryshimeve aktuale dhe model për ndryshimet në gjithë rajonin tonë. Kështu urime, suksese, përgëzime”- përfundoi ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›