PS: Propozim për ndryshime në rregulloren e Kuvendit
Tiranë- Pas rrëzimit të dekreteve të Presidentit në kuvend, deputetët e grupit parlamentar të Partisë Socialiste bënë sot publike nismën e tyre ligjore për një ndryshim në rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë. Sipas nismës, ndryshimi lidhet me shqyrtimin e kandidaturave për institucionet kushtetuese, në mënyrë që të mos krijohen konflikte mes organeve kushtetuese.
Gjatë një konference për shtyp, deputeti i PS-së, Besnik Dervishi tha se ndryshimet e propozuara lidhen me amendimin e nenit 111, pika 3 dhe 6 të tij, të rregullores parlamentare. Neni në fjalë parashikon procedurat që ndiqen për dekretet e Presidentit.
"Në rastet kur në Kushtetutë parashikohet dhënia e pëlqimit nga Kuvendi, Kryetari i tij ia kalon kërkesën komisionit të Ligjeve, i cili brenda 7 ditësh shqyrton nëse kandidaturat i plotësojnë kriteret ligjore”- tha ai.
Gjatë fjalës së tij për mediat Dervishi nënvizoi se nisma e propozuar nga PS-ja synon shmangien e konflikteve që mund të krijohen mes organeve kushtetuese.
Amendimi i rregullores i iniciuar nga PS-ja merr shkas nga situata e krijuar në seancën e së hënës në Kuvend, ku me shumicë votash deputetët rrëzuan dekretet e Presidentit për emërimin e pesë emrave të rinj për anëtarë të Gjykatës së Lartë