Lush Susaj: Vreshtaria shqiptar është viktimë e injorancës dhe vjedhjes
Intervistë me prof. Lush Susaj, lektor i Vreshtarisë në U.B.T
Profesor Lush Susaj në një intervistë për Tirana Observer flet me nota kritika për rrënimin që i është bërë vreshtarisë dhe bujqësisë shqiptare, e cilat sipas ka ardhur nga injoranca dhe vjedhja. Susaj, që aktualisht është edhe lektor i Vreshtarisë në Universitetin Bujqësor të Tiranës jep edhe strategjinë dhe këshillat se si duhet punuar për të ringritur sërish vreshtarinë në vendin tonë.
Jeni një nga shkencëtarët dhe specialistët e njohur të krijimit dhe kultivimit të vreshtave. Është një përkushtim dhe dëshirë e trashëguar apo rastësore?
Për lexuesin, për kultivuesit e vreshtave dhe të gjithë kolegët e mi, po e filloj përgjigjen nga pjesa e dytë e pyetjes suaj. Vreshtaria dhe verëtaria kanë qenë dhe do të mbetën një nga trashëgimit më të bukura të familjes time dhe të krahinës ku kam lindur e ku kam jetuar e punuar deri në moshën 26 vjeçare, pikërisht në një fshat të luginës së Drinit, 217 m mbi nivelin e detit. Është një fshat i mbushur me vreshta e pjergulla, është një fshat që në vitin 1485, paguante katër taksa, taksën e verës, taksën e kumbullës, taksën e linit dhe taksën e mëndafshit. Prindërit e mi, sidomos gjyshi dhe babai im, ishin mjeshtra të shartimit, të krasitjes e të mbjelljes. Ata e trajtonin vreshtin dhe verën duke ndjekur ditët, fazat e zhvillimit dhe pozicionin e hënës. Më pas, unë pata rastin e mirë që në vitin 1982, të mbaroj shkollën e mesme bujqësore për vreshtari, por në vitin 1986, mbarova edhe shkollën e lartë për vreshtari dhe pemtari. Punova shumë vite në prodhim derisa një ditë fillova pedagog i Vreshtarisë në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Fillova punë aty ku është kontributi dhe trashëgimia e përjetshme e profesorëve të njohur si Muharrem Pingili, Todi Gjermani, Petraq Sotiri, Pjerin Preka, Dionis Çakalli, Vangjel Zigori dhe Fadil Thomaj. Unë kam qenë nxenësi, studenti dhe bashkëpunëtori i tyre, ndërsa sot jam vazhduesi i arritjeve dhe i rrugës së tyre, e mbi të gjitha, jam shërbëtori i zellshëm i studentëve, i specialistëve, i vreshtarëve dhe i prodhuesve të verës në Shqipëri, në rajon dhe kudo në botë.
Vreshtaria është traditë e lashtë e vendit tonë, po kështu kemi traditë edhe në prodhimin dhe konsumin e verës. A ka ndonjë specifikë dhe përparësi në lidhje me zonat klimatike dhe llojet autoktone të rrushit?
Po, vreshtaria është një nga traditat më të hershme të popullit tonë, është treguesi më i pakundërshtueshëm i autoktonisë dhe lashtësisë së qytetërimit Iliro-Arbënor. Edhe sot, një nga treguesit e drejtpërdrejtë të zhvillimit, të cilësisë së jetës dhe të emancipimit shoqëror të një vendi, kombi, është shkalla e zhvillimit të vreshtarisë dhe verëtarisë. E ndjek me interes ecurinë e treguesit të sasisë vjetore të verës së konsumuar për frymë të popullsisë. Ndërsa në lidhje me zonat dhe kultivarët lokal të hardhisë, Shqipëria, në një territor kaq të vogël, ka një zonalitet të rrallë vertikal nga burojnë edhe ato mikrozonat dhe mikroklimat interesante, të dobishme për vreshtarinë dhe markat e verës me tipicitet dhe gjeografi të përcaktuar. Këtë potencial e ka krijuar natyra, relieve, gjeografia. Këtë realitet gjeografik dhe klimatik e kanë shfrytëzuar gjatë gjithë shekujve banorët e krahinave të ndryshme të këtij vendi. Këto resurse ekonomike dhe financiare i kanë studiuar dhe shfrytëzuar me kujdes edhe pushtuesit e këtij vendi, mjafton të kujtojmë faktin e njohur se si romakët, jo vetëm e studiuan por edhe bën rajonizimin më perfekt të vreshtave dhe ullishteve në të gjithë truallin Arbënor. Në këtë rast, dua të kujtoj se ka mijëra dokumenta që provojnë prodhimin e verës SAPA në Zadrimë, si dhe ka rrënoja të kantinave të antikitetit në Butrint, Bylis dhe Durrës. Ka shumë kronika dhe dokumente të mesjetës që flasin për një ekspansion të prodhimeve të Arbënisë në tregjet e Romës, në to dëshmohet për sasi të mëdha të verës, peshkut të kripur dhe vajit të ullirit që eksportohej në Romë. Vetëm politikanët dhe administrata e këtyre 20 viteve, nuk pati as sy as veshë për ta vlerësuar dhe shfrytëzuar këtë potencial burimor në dobi të punësimit, rritjes së prodhimit dhe të ardhurave nga tregtia e brendshme dhe eksporti. Vlerësime dhe studime fiktive e pa asnjë nivel e bazë shkencore ku ka plot, dosje të konservuara mbi potencialet prodhuese e turistike. Ajo që nuk shkon në këtë histori, është fakti se të gjitha këto dosje dhe studime, nuk u përgatitën nga specialistët e duhur të fushave përkatëse, ato qëllimisht u mbajtën larg profesionistëve dhe profesoriatit, u hartuan jashtë departamenteve përkatëse dhe pa oponencën e universitetit përkatës. Kjo traditë e lashtë bujqësore dhe vreshtare në veçanti, ka lindur dhe zhvilluar në shekuj thesaret e trashëgimisë dhe kulturës sonë bujqësore. Vreshtaria dhe verëtaria jonë, janë rritur dhe zhvilluar duke patur për bazë kultivarët autokton dhe lokal të hardhisë. Lëvizjet, strategjitë dhe veprimet që nuk u bazuan apo që nuk do të bazohen mbi këtë pasuri gjenetike e historike, kanë dështuar dhe do të dështojnë edhe në të ardhmen. Sajesat dhe raftet e mbushura me dosje fiktive janë kohë e humbur dhe përkeqësim i skajshëm i cilësisë së jetës. Në kuadër të pyetjes suaj, sqaroj se në hartën e territorit shqiptarë, kultivarët me tipicitet dhe gjeografi të përcaktuar janë Kallmeti, Katroshja, Vranaci, Ujceku, Manakuqi, Cëruja, Sheshi i zi, Sheshi i Bardhë, Vloshi, Pulsi i Bardhë, Serini, Debina, Pamidi, Mavrudi dhe llojet e tavolinës që kryesisht i përkasin grupit të Rozakive (sidomos Tajga e Kuqe, Tajga e Bardhë, Dimeraku, etj). Për sa territor gjeografik që kemi, këto lloje janë një pasuri e rrallë që për fat të keq kurrë nuk u morën në konsideratë. Them se nuk u morën në konsideratë sepse kultivari francez Merlot, vetëm në Universitetin e Dijonit të Francës, ka mbi 36 klon nga prodhohen 36 marka vere. Po ju sjell ndërmend edhe kultivarin Verdikio të Ankones, që ka 13 klone nga prodhohen 13 marka vere nga kantinat e ngritura në Ankona dhe Metallika. Ndërsa në Shqipëri, pavarësisht nga çështë shkruar në dosjet e kopsitura apo çështë folur përballë kamerave, pavarësisht nga parat, projektet dhe donacionet që u shperdoruan, sot që po flasim nuk ka asnjë klon të kultivarëve autokton, nuk ka asnjë markë reale të verës autoktone. Që të kuptoni më shumë dhe më mire, mjafton të lexoni vjetarin statistikor të Ministrisë së Bujqësisë dhe do të gjeni se si Shqipëria, në vitin e fundit, ka eksportuar vetëm 56 hektolitëra verë, është sasi turpëruese për një vend mesdhetar. Kjo vjen për faktin se kantinat tona nuk mund të prodhojnë dhe as të konkurrojnë në tregje me verën Tempranillo, as verën Merlot, as verën Shardone sepse ato i përkasin historisë, gjeografisë dhe traditës së Spanjës dhe Francës. Bujqësia, vreshtaria dhe e gjithë ekonomia shqiptare, e ka të ardhmen tek rivlerësimi dhe riaktivizimi i potencialeve dhe burime të veta tokësore dhe njerëzore, nga nihilizmi, nga injoranca, nga hajnia nuk vjen asgjë përveç varfërisë, vetëdiskreditimit dhe vetëshkatërrimit.
Në monizëm ku gjithçka ishte e përqendruar nga shteti, prioritet kishin produktet për tregun e huaj. Megjithatë, pati disa arritje në lloje, cilësi, sasi, etj, arritje që ishin krenari të vreshtarisë dhe frutikulturës shqiptare. Fermat, plantacionet, shërbimet që ishin u zhduken. A pati diçka që duhet të vlerësohet apo qe një gabim me kosto të rendë për frutikulturën dhe vreshtarinë në përgjithësi, politika që u përdor në këtë fushë qe e gabuar?
Nuk është koha për të vajtuar atë që ka ndodhur, ajo do ti mbetet kapitullit të historisë së zhvillimit të bujqësisë shqiptare. Për lexuesin, kujtojmë faktin e hidhur se si në vitet 1990-1993, sistemin e hipërkolektivizimit, nuk e reformuam dot, nuk e orientuam dot, për pasojë nuk arritëm ti