E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lushnja, Malko kërkon një skuadër më bindëse

Nga Julian Kasapi

Trajneri Saimir Malko ka mbetur i kënaqur vetëm me pikët, sepse loja ndaj Ilirisë ka pasur defekte, sidomos në finalizim

Lushnjarët ia kanë dalë të shtojnë edhe 3 pikë në tabelën e renditjes, teksa kanë fituar minimalisht ditën e diel në Mamurras kundër Ilirisë. Heroi i tyre edhe kësaj here ka qenë sulmuesi Mikel Canka, që i ka dhënë tri pikët e radhës skuadrës verdhejeshile në një sfidë mjaft emocionuese, për shkak të rasteve të humbura, sidomos në pjesën e dytë. Fitorja e 5-të radhazi për Lushnjën, nën drejtimin e trajnerit Saimir Malkos dhe ëndrra lushnjare ka filluar të marrë jetë.

Gjithsesi, verdhejeshilët qëndrojnë me këmbë në tokë  përpara takimit në shtëpi me Gramshin. Stabiliteti i skuadrës lushnjare në transfertën me Ilirinë, edhe pse në formacion mungonin disa futbollistë të rëndësishëm, tregon se objektivi për ngjitjen në superligë është plotësisht i arritshëm. Tri pikët e marra të dielën japin shpresa për një të ardhme të sigurt të verdhejeshilëve.

Rezervat e Malkos Stafi teknik, me në krye Saimir Malkon, nuk është plotësisht i bindur për lojën e skuadrës. Në konferencën për shtyp menjëherë pas ndeshjes, trajneri Malko theksoi se e kanë kënaqur vetëm tri pikët: Duhet të ndalemi sërish dhe të punojmë e të përmirësohemi, sepse një fitore me një kundërshtar të tillë me rezultat minimal, na vë të gjithëve në mendime.

E them me bindje se nuk më ka kënaqur asgjë, përveç tri pikëve. Jemi skuadër, që nuk duhet të diskutojë dhe të humbasë raste aq flagrante. Nuk do të thotë gjë se ishim me futbollistë të rinj, pasi e ritheksoj se Lushnja nuk duhet ta diskutojë fitoren në raste të tilla, – ka thënë mes të tjerash trajneri Malko.

Skuadra lushnjare e ka pasur pushim ditën e djeshme dhe normalisht përgatitjet për ndeshjen me gramshiotët do të nisin sot pasdite. Edhe pse me pak ditë në dispozicion, lushnjarët e kanë mundësinë për të marrë sërish një tripikësh dhe të shpresojnë për ndonjë hap fals të rivalëve të tyre.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›