Pelinxhi: Të mendojmë për Partizanin, jo për interesat personale
Trajneri i të kuqve, Marko Pelinxhi, sqaron fërkimin me lojtarin e tij në Këlcyrë, si dhe ambiciet për pjesën e mbetur të fazës së parë
Ndryshe nga sa ishte menduar, përballja e Partizanit me Delvinën ka pasur vështirësitë e saj, por fitorja e pastër ka bërë që të harrohen problemet e dala në pah. Takimi u zhvillua në Këlcyrë dhe të kuqtë, përveç tifozëve që udhëtuan nga kryeqytetit, patën edhe përkrahjen e vendasve, të cilët kanë qenë të emocionuar, ku nuk kanë munguar edhe lotët. Në këtë takim ka pasur edhe një fërkim mes lojtarit Eldi Thaka dhe trajnerit Marko Pelinxhi.
Trajneri për Sportin shqiptar tregon incidentin, por sqaron se në fund gjithçka është si më parë, pasi është koha që të gjithë të mendojnë për të mirën e Partizanit e jo për interesa personale. Në momentin që po bëhesha gati për zëvendësimin e parë, Eldi Thaka goditi pankinën dhe i kërkova sqarim pse e bërë këtë veprim. Lojtari kërkoi llogari pse nuk po e aktivizoja. I dhashë urdhër që të largohej nga stoli. Më pas shkova në dhomat e zhveshjes bashkë me të, ku sqarova problemet.
Kur u ktheva, isha shumë i nevrikosur, pasi edhe ndeshja ishte shumë e tensionuar dhe na duhej fitorja. Por fatmirësisht kur u ktheva, skuadra kishte shënuar golin e dytë, gjë e cila më qetësoi diçka. Pra, golin e dytë nuk arrita ta shikoj. Në fund të ndeshjes lojtari e kuptoi gabimim dhe kërkoi falje. Eldi, por edhe të gjithë lojtarët e tjerë, duhet ta kuptojnë mirë se është koha që të gjithë të mendojmë për Partizanin e jo për interesat personale.
Se çfarë do të thotë fjala Partizan dhe uniformë e kuqe, e tregon interesi i madh i tifozëve ngado që luajmë, si dhe lutjet e tyre me gjithë zemër: Aman na ktheni Partizanin e ditëve të lavdishme! Me këtë rast dua të përshëndes edhe ata tifozë që kishin udhëtuar enkas me një autobus në dispozicion nga Tirana për të na ndjekur në Këlcyrë. Këta tifozë janë pasuria më e madhe e Partizanit, pasi ata nuk na lënë vetëm në asnjë cep të Shqipërisë. Prandaj ëshët momenti që të gjithë të bashkohemi e të ngremë Partizanin, u shpreh trajneri i demave të kuq, Marko Pelinxhi.
Ministria jep shpërblim për fitoren, do të ketë edhe për Turbinën
Pas një momenti amullie, në kampin e kuq është rikthyer sërish optimizmi. Këtë gjë e tregon edhe rikthimi i administratorit Gjergji Thaka, i cili vijon të jetë pranë ekipit, si dhe lëvizja e fundit e Ministrisë së Mbrojtjes. Mësohet se fitorja e arritur me Delvinën është shpërblyer nga ministria me 1 milion lekë (të vjetra), premio të cilën e kanë përfituar titullarët dhe pjesëtarët e stolit. Njëkohësisht është premtuar se do të ketë premio edhe për ndeshjen e radhës me Turbinën.
