E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sharra e Hysit

Rezultatet zhgënjyese të regjistruara në pranverë u kanë kushtuar futbollistëve dhe trajnerit të Hysit me ‘sharritje’ të pagave. Kryesia e klubit ka vendosur të ndërmarrë masa, duke i gjobitur ata me nga 250 euro. Shefi ekzekutiv, Afrim Macula paralajmëron dënime të tjera, nëse ekipi vazhdon me ritëm të njëjtë. Por, ai insiston se bardhezinjtë nuk i kanë ngritur ende duart lart për titull.

Kryesia e Hysit ka vendosur të ndërmarrë masa, pas rezultateve zhgënjyese në fillim të sezonit pranveror në Raiffeisen Superligën e Kosovës në futboll. Për rezultatet negative, të regjistruara në pranverë deri tash, futbollistët dhe shtabi teknik janë gjobitur me para.

Lajmin e ka bërë të ditur shefi ekzekutiv i klubit llapjan, Afrim Macula. “Për shkak të rezultateve të dobëta, futbollistët dhe trajneri janë dënuar me nga 250 euro”, ka konfirmuar ai për Express.

Varësisht prej rezultateve, Macula paralajmëron se do të merren vendime të tjera. Por, ai beson se skuadra nga Merdara do t’u kthehet rezultateve pozitive për t’i arritur objektivat që ka.

“Për ne kryesore është të luajmë mirë dhe në bazë të rezultateve, do t’i marrim vendimet. Ne synojmë më tepër që sezonin e ardhshëm ta përpunojmë një ekip cilësor, i cili do të bëjë lojëra të bukura”, vazhdoi ai.

“Por, kjo nuk do të thotë se i kemi çuar duart edhe këtë sezon. Nëse na ofrohet ndonjë mundësi, do të luftojmë edhe për titull të kampionit”, përfundoi Macula.

Hysi nën drejtimin e trajnerit të ri Afrim Tovërlani, në pesë xhirot e para të pjesës së dytë të sezonit pati rezultate jo dhe gjithaq bindëse sa pritej nga kampioni aktual i Kosovës.

Skuadra nga Merdara ka regjistruar 1 fitore, 2 barazime e 2 humbje. Ka fituar ndaj Trepçës (2:0), ka barazuar me Besën (0:0) e Gjilanin (0-0), ndërsa ka humbur nga Trepça ’89 (1:0) dhe nga Lepenci (1:0).

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›