E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juventus, mbrojtja më e mirë në Evropë

Më të mirë se Barcelona, Bayern Munich, Manchester City e të tjerë. Reparti defensiv i Juventusit, me 17 gola të pranuara pas 30 ndeshjesh në Serie A, është më i suksesshmi në Evropë. Për më tepër, Gianluigi Buffon, Andrea Barzagli, Giorgio Chiellini dhe Leonardo Bonucci janë edhe boshti i vijës së fundit të Kombëtares italiane.

Juventusi ka aktualisht mbrojtjen më të mirë në Evropë. Më të mirë se Barcelona, reparti defensiv më i suksesshëm i La Ligas me 22 gola të pranuara. Më të mirë se Manchester City, skuadër kjo që ka pësuar më së paku gola në Premierligë, 25.

Mbrojtësit e Bianconerëve janë më të mirë edhe se ata të Bayern Munichut, skuadra me numrin më të vogël të golave të pranuara në Bundesligë, 18 dhe ajo e Ligue 1, Toulouse me 26 gola të pësuara. Juventus ka mbrojtjen më të mirë edhe se katër gjysmëfinalistët e Ligës së Kampionëve, përfshirë Real Madridin që ka pësuar 27 gola.

Thjesht, 17 golat e pranuara nga Juventus në 30 xhirot e deritashme në Serie A nuk kanë rival në kampionatet përkatëse evropiane. Edhe Porto ka pranuar 17 gola, por pas vetëm 25 ndeshjeve e jo në 30.

Mbrojtja duket të jetë suksesi i Juventusit të Antonio Contes. Numrat shpjegojnë numra. Në fakt, 17 golat e pësuara, 14 nga Gianluigi Buffon dhe 3 nga Marco Storari, janë arsyetimi i statusit të skuadrës së vetme të pamposhtur në kontinent, 30 ndeshje pa humbje.

Për më tepër, Milan, me mbrojtjen e dytë më të mirë në Serie A, ka pranuar shtatë gola më tepër se Bianconerët, pavarësisht dy pikëve të epërsisë në krye të renditjes. Kaq me numra. A ju kujtohet fillimi i sezonit kur Juventusi kërkonte qendërmbrojtës në Amerikën e Jugut për të përforcuar një repart, i cili dukej pika më e dobët e skuadrës? Dede Juan.

Pastaj ekzistoi interesimi i fuqishëm për mbrojtësin portugez të Zenit St Petersburg, Bruno Alves. Madje, kërkohej edhe një mbrojtës i djathtë, pasi Giorgio Chiellini aktivizohej në krahun e majtë për shkak të Paolo de Ceglies të lënduar.

Llogaritni këtë dhe shikojeni gjendjen e sotme. Juventusi kundër Napolit në ndeshjen e javës së kaluar në Serie A ishte në gjendje të mbante jashtë formacionit bazë Martin Caceresin, i cili erdhi si përforcim gjatë janarit.

Uruguaiani luan mirë në qendër, po aq mirë edhe në krahun e djathtë, por është në gjendje të mbulojë edhe të majtin, ku megjithatë ka filluar të aktivizohet rregullisht De Ceglie pas tejkalimit të problemeve fizike.

De Ceglie më herët gjatë javës vazhdoi kontratën e tij me Juventusin deri më 2017, njësoj sikurse qendërmbrojtësi Leonardo Bonucci. Paraqitja e shkëlqyeshme e mbrojtësve të Juventusit këtë sezon është lajm i mirë edhe për selektorin e Italisë, Cesare Prandelli, pasi reparti defensiv i Bianconerëve përbën pjesën kryesore të vijës së fundit të skuadrës Azzurre.

Andrea Barzagli dhe Chiellini janë titullarë në qendër për momentin, pak muaj para fillimit të Euro 2012. Barzagli erdhi në janarin e vitit të kaluar në Juventus nga Wolfsburg në heshtje. Por, ai ka shkëlqyer gjatë këtij sezoni, duke qenë një prej shtyllave në mbrojtjen e Bianconerëve.

Për më tepër, përveç formacionit 4-4-2, ai është shfaqur i përshtatshëm edhe në atë 3-5-2 të aplikuar jo rrallë herë nga Conte. I dobishëm sikurse Chiellini, i cili po ashtu është në formë të shkëlqyeshme.

Krahun e djathtë të mbrojtjes e ka blinduar zvicerani Stephan Lichtsteiner i ardhur nga Lazio gjatë verës së vitit të kaluar. Por, nuk bën pa u përmendur edhe Buffon, i cili është kthyer të luajë në standardin e tij të zakonshëm. Tani, sa për të dhënë edhe një lajm, Juventus për sezonin e ardhshëm është duke kërkuar një qendërsulmues.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›