E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrahjet në futboll

Rrahja masive në ndeshjen mes Bradford – Crawley të martën u përcoll me pesë futbollistë të përjashtuar me kartonë të kuq. Por, edhe në të kaluarën kanë ndodhur incidente të tilla, madje edhe mes bashkëlojtarëve, ku ‘shpërthyen’ grushtet.

Një përleshje masive ka ndodhur në Angli, në përballjen e League Two (liga e katërt angleze) ndërmjet Bradfordit e Crawleyt të martën. Në fund të takimit, i cili përfundoi 2:1 për mysafirët, futbollistët e të dyja ekipeve kanë filluar të rrihen. Si rezultat i kësaj, gjyqtari ka ndëshkuar pesë lojtarë me kartonë të kuq: Andrew Davies, Luke Oliver e Jon McLaughlin del Bradford e Kyle McFadzean e Claude Davis del Crawley. Natyrisht këta futbollistë mund të dënohen për një periudhë afatgjate nga Federata Angleze. E përditshmja britanike The Telegraph ka bërë një përmbledhje të incidenteve të tilla.

Man Utd - Arsenal, shtator 2003

Sulmuesi i Manchester Unitedit, Ruud van Nistelrooy bëri përpjekje të përjashtojë mesfushorin e Arsenalit Patrick Vieiran dhe ia doli. Por, Van Nistelrooy e humbi penalltinë, kurse mbrojtësi Martin Keown kërceu para tij duke e ngacmuar atë. Shpërtheu kaosi.

Carlos Diogo - Luis Fabiano, janar 2007

Futbollisti i Real Zaragozas dhe i Sevillas u ballafaquan mes vete në ndeshjen e vlefshme të La Ligas, por në bazë të incidentit, ata më tepër i ngjanin boksierëve. Pas një fjalosjeje dhe kontakteve të vogla, shpërthyen grushtet.

Macclesfield - Wycombe, shkurt 2011

Në përfundim të takimit të disa ndeshjeve të tensionuara, nuk është e pazakonshme të ketë edhe ndërhyrje të ashpra. Por, ka edhe më zi, kur një seri e ndërhyrjeve të tilla bëhen nga futbollistë të ndryshëm. Situata eskaloi kur sulmuesi i Macclesfield, Ricky Sappleton qëlloi rëndë një kundërshtar e më pas filloi një rrahje masive mes dy skuadrave.

Lee - Hunter, nëntor 1975

Qendërmbrojtësi i Rotherham United, Norman Hunter shfaqi forcën e tij fizike në fushën e futbollit. Në stilin e një boksieri ai u grushtua me sulmuesin e Derby County, Francis Lee.

Bowyer - Dyer, prill 2005

Mesfushorët e Newcastle United, Keiron Dyer dhe Lee Bowyer duket se ishin hidhëruar tej mase pas disavantazhit 3-0 në shtëpi ndaj Aston Villas, sa që vendosën të shprehin mllefin ndaj njëri-tjetrit.

Argentinos Juniors - Fluminese, prill 2011

Përballjet mes skuadrave argjentinase dhe atyre braziliane shpeshherë përcillen me tensione tej mase dhe rivalitet të ashpër në fushë dhe tribuna. Kjo ndeshje nuk zhgënjeu sa i përket këtij aspekti, pasi shpërtheu një rrahje masive mes futbollistëve në fushë.

Valencia – Inter, mars 2007

Pas përfundimit të takimit të Ligës së Kampionëve, mbrojtësi i Interit, Nicolas Burdisso sulmoi mbrojtësin e Valencias, Carlos Marchena, duke shkaktuar kacafytje. Zëvendësuesi i pashfrytëzuar i Valencias, David Navarro hyri në fushë dhe qëlloi Burdisson. Futbollistët e Interit, Julio Ricardo Cruz, Ivan Cordoba dhe Maicon e ndoqën Navarron. Kurse trajneri Roberto Mancini njoftoi se Burdissos i ishte thyer hunda pas goditjes së Navarros. Rrahja vazhdoi edhe në tunelin e stadiumit Mestalla.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›