‘Infuzion’ për Kombëtaren
Kombëtarja shqiptare, përveç fitores kundër Katarit (2:1) dhe Iranit (1:0), në këto dy ndeshje miqësore ka fituar edhe disa futbollistë të rinj në të cilët mund të llogaritë në eliminatoret për Botërorin 2014 që nisin në shtator.
Fjala është për treshen kosovare: mbrojtësin Mërgim Mavraj, mesfushorin Mërgim Brahimi dhe portierin Etrit Berisha, të cilët me sukses debutuan në fanellën e ekipit kuqezi.
Mavraj, i cili më herët kishte hezituar ta veshë fanellën kuqezi, ndihet si “në qiellin e shtatë” dhe këtë mbrojtësi e tregoi më së miri kur para publikut shqiptar në stadiumin “Inonu” të Stambollit, me mikrofon në dorë ka brohoritur “O sa mirë me qenë shqiptar!”.
“Kam luajtur dy ndeshje të mira me ekipin shqiptar duke i fituar që të dyja, ndaj një debutim të tillë veçse mund ta kisha ëndërruar. Më vjen shumë mirë dhe jam shumë i lumtur që jam pjesë e kësaj skuadre, fanellë që realisht e kam dashur prej kohësh”, ka deklaruar mbrojtësi i ekipit gjerman Greuther Furth.
“Unë gjithnjë kam qenë pjesë e kësaj skuadre, ndoshta jo fizikisht, por gjithnjë kam dashur të luaj për fanellën kuqezi. Që në ditën e parë të grumbullimit u ndjeva si në shtëpi dhe realisht jam i lumtur që edhe tifozët më mbështetën dhe ma bënë shumë herë më të bukur këtë debutim”, ka shtuar ai.
Edhe portieri kosovar i Kalmarit, Etrit Berisha, pas ndeshjes me Iranin, pohoi se e konsideronte një privilegj faktin që luajti si titullar që në ndeshjen e tij të parë me kuqezinjtë.
“Ndihem vërtet i emocionuar dhe për disa minuta ndihesha si i ndrydhur, pasi nuk arrija ta besoja që po luaja me fanellën kuqezi. E them pa drojë se e kam konsideruar si një privilegj faktin që trajneri më dha një rast të tillë, që të luaja titullar me Kombëtaren. Kjo skuadër për mua është gjithçka dhe e kam pasur një ëndërr të cilën më në fund e realizova”, ka thënë portieri kosovar
Ish portieri i 2 Korrikut ka thënë se do bëjë të pamundurën për të dhënë maksimumin sa herë që i kërkohet, derisa ka vlerësuar gardianin e parë të Kombëtares, Samir Ujkanin.
Në anën tjetër, edhe mesfushori Mërgim Brahimi ka lënë përshtypje të mira kundër Iranit. Ai është i lumtur që debutoi me ekipin kuqezi, derisa pret të ftohet edhe në ndeshjet tjera nga Gianni de Biasi.
“Jam shumë i kënaqur që debutova me Kombëtaren e po ashtu që trajneri më dha besimin që të futem në fushë. Shpresoj që trajneri të më ftojë edhe në ndeshjet tjera”, ka thënë për Express mesfushori i Grasshoppersit, i cili më herët ka luajtur edhe me ekipin U21 të Shqipërisë.
Aktualisht fanellën e Shqipërisë e bartin këta lojtarë: Samir Ujkani, Lorik Cana, Armend Dallku, Debatik Curri dhe Ahmed Januzi, derisa pas një pauze ekipit pritet t’i bashkohet edhe Besart Berisha.
De Biasi lavdëron kuqezinjtë
Selektori i Shqipërisë, Gianni de Biasi, para rikthimit në Tiranë, është shprehur i lumtur me të përzgjedhurit e tij, të cilët triumfuan kundër Katarit dhe Iranit.
“Pas këtyre ndeshjeve jam i kënaqur me grupin e lojtarëve që kemi grumbulluar. Fituam dy ndeshjet me Katarin dhe Iranin dhe duhet të them që rezultati i mirë ndihmon të kesh gjithnjë besim. Lojtarët janë të motivuar dhe miqësorë me njëri-tjetrin, e nuk ka zili brenda grupit. Për të kuptuar se çfarë i duhet kësaj skuadre për të qenë e fortë në kualifikueset e botërorit më nevojiten më shumë ndeshje”, ka thënë De Biasi.
Dy fitoret radhazi të kuqezinjve kanë rritur euforinë, jo vetëm brenda ekipit, por në të gjithë ambientin sportiv. Trajneri italian paralajmëron se nuk duhet ëndërruar për kualifikimin në Botërorin 2014, por ekipi duhet të shfrytëzojë cilësitë më të mira.