Lushnja kërkon mbikqyrje speciale në Velipojë
Sekretari i klubit, Judmir Shurdhi, bën të ditur se ndeshja e radhës duhet të monitorohet deri në detaje për të mos pasur probleme
Skuadra e Lushnjës po përgatitet për një ndeshje të fortë në javën e parafundit të kampionatit, atë me Adën në Velipojë. Lushnjarët janë të mobilizuar në maksimum për një ndeshje brenda kontureve të fair-play-t, ndërkohë që kanë kërkuar siguri të plotë nga forcat e rendit, pasi kanë përvoja të hidhura nga fusha e Adës. Ata duan thjesht që në fushë të fitojë më i miri.
Për ndeshjen e kësaj jave janë kërkuar përforcime nga policia, në mënyrë që gjithçka të jetë në rregull. Kemi kërkuar nga federata që të ketë mbikqyrje të forcave speciale dhe të mos ketë incidente në fushën sportive të Velipojës. Ne do të kemi parasysh para takimit se ku do të jenë mediat elektronike, që do të filmojnë 90-minutëshin për të mos pasur probleme.
Eshtë kusht që, nëse nuk na plotësojnë kuadrin e duhur ligjor, ndeshja të mos jetë e barabartë, – ka thënë ndër të tjera sekretari i klubit verdhejeshil, Judmir Shurdhi. Lushnjarët janë përgatitur si për një takim final në Velipojë, ku gjithçka që do të jetë jashtë rregullave në këtë fushë, do të jetë objekt reklamimi. Nga Lushnja do të shkojnë në Velipojë dy media elektronike, që do të filmojnë takimin për ta bërë present edhe në rubrikat sportive të kanaleve më në zë.
Gjendja Për stafin teknik do të jetë i gatshëm edhe mesfushori Alban Byzhyti, i cili e ka kaluar dëmtimin dhe do të japë gjithçka për skuadrën e tij, ndërkohë që kundërshtari i radhës duhet vlerësuar. Asnjë shqetësim për stafin teknik, përveç atij që vjen nga skuadrat rivale, që presin një tjetër hap fals të Lushnjës.
