E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasani nuk shkon i dorëzuar në Himarë

Verdheblutë janë të vendosur për të mos lëshuar në lojën e tyre edhe ndaj himariotëve, të cilët luajnë për mbijetesë

Futbollistët e Elbasanit duken të përqendruar për ndeshjen e së dielës në Himarë, edhe pse ajo nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë për skuadrën e tyre në këtë moment. Ashtu siç ka ndodhur javët e fundit, edhe me Himarën pritet të aktivizohen shumë të rinj, të cilët e kanë treguar veten dhe pritet të dhurojnë emocione edhe në këtë transfertë. Eshtë një ndeshje shumë e vështirë, sepse Himara luan për mbijetesë dhe do të bëjë çështë e mundur për të marrë 3 pikët.

Verdheblutë pohojnë se janë të vendosur për të mos bërë lëshime dhe për ta respektuar kampionatin deri në fundin e tij, gjë që e kanë theksuar javë pas jave. Elbasani ka dhënë një shembull të mirë javët e fundit, kur, edhe pse i dalë nga objektivi, ka luajtur ndershmërisht në çdo ndeshje. Këtë gjë parashikohet të bëjë edhe në transfertën e Himarës.

Eshtë e qartë se tashmë drejtuesit e Elbasanit më shumë po mendojnë për sezonin tjetër, ndaj dhe stafi teknik kërkon të hedhë bazat e skuadrës së re. Jo më kot trajneri Ilirian File ka provuar shumë futbollistë të rinj dhe ka një ide më të qartë se cili prej tyre i shërben Elbasanit për të synuar kthimin në superligë sezonin e ardhshëm. Deri tani ka pasur nga ata elementë, të cilët, edhe pse të rinj në moshë, kanë treguar pjekuri në lojën e tyre, duke e bindur stafin teknik.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›