Lushnja mposht Gramshin, edhe pse shpërdoron pa fund
Skuadra e drejtuar nga Malko vazhdon të bëjë detyrën, por sërish mbetet në vend të 4-t, pasi rivalët skanë gabuar as këtë javë
Lushnja Gramshi 2-0
Shënues: Canka 26 (11-metërsh), Gjoni 53
Lushnja: Bejte, Sulo, Ruço, Sula, Bufasi (Mërtiri 76), Byzhyti, Topi, Gjoni (Alkanjari 76), Përnezha (Hasalla 46), Canka, Sefa.
Trajner: S. Malko.
Gramshi: Mullisi, Bodurri (Dyrmishi 25), Dushku, Doçi (Maçolli 72), Duka, Myftaraj, Trashi, Pengu, Marishta, Koçi (Dishani 45), Lezi.
Trajner: E. Mustafaraj
Gjyqtarë: D. Jubica (Shkodër), M. Bregasi (Lezhë), K. Vargu (Tiranë)
Karton i verdhë: Mërtiri
Karton i kuq: Mullisi
Lushnjarët ia kanë dalë të marrin 3 pikët e radhës në ndeshjen e me Gramshin në Roza Haxhiu, ku kundërshtari ka rezistuar deri në minutën e 26-të. Pikërisht në këtë moment Lushnja ka shënuar me anë të Cankën nga pika e bardhë e 11-metërshit. Gjithsesi, gramshiotët kanë luajtur si të barabartë me Lushnjën e emrave të mëdhenj. Para nisjes së lojës është mbajtur një minutë zie për nder të politikanit dhe shkrimtarit Sabri Godo, i ndarë nga jeta dy ditë më parë.
Që në fillim lushnjarët rrezikojnë me Cankën dhe më pas viijnë dy raste të miqve me Koçin dhe Lezin, por pa rezultat. Pavarësisht se nuk kanë shënuar, miqtë e mbajnë skuadrën vendëse në diktatin e tyre, por kjo gjë nuk zgjat shumë. Lushnja e balancon lojën dhe më pas merr kontrollin e saj, për të ardhur në minutën e 26-të, kur kalon në avantazh. Canka është i saktë përpara portierit Dyrmishi, i cili zëvendëson Mullisin e ndëshkuar me karton të kuq nga gjyqtari Jubica, pasi ka ndaluar në mënyrë të parregull në zonë Përnezhën.
Me rezultatin 1-0 dhe me shumë raste të humbura nga lushnjarët mbyllet pjesa e parë. Në të dytën Përnezha ia lë vendin Hasallës në krahun e majtë të mbrojtjes. Edhe pse me 10 futbollistë, Gramshi nuk bën prapa, por krijon raste në portën e Bejtes, i cili, si gjithmonë, është në formë dhe nuk lejon prekjen e rrjetës. Në minutën e 53-të, pas një aksioni të gjatë dhe me disa goditje në portë, Gjoni shënon golin e dytë.
Godet me kokë Sefa, portieri mik grushton dhe topi shkon në këmbët e Byzhytit, i cili trondit traversën, topi përplaset në tokë, dhe shkon në hyrje të zonës, ku Gjoni gjuan fort dhe 2-0. Pas këtij momenti nuk ka më histori, përveç disa kundërsulmeve sporadike të gramshiotëve. Lushnjarët luajnë në gjysmëfushën kundërshtare, por humbasin raste flagrante, më së shumti nga Sefa, që nuk ka mundur ta gjejë golin.
Në 12 javë ai ka shënuar vetëm një gol, në ndeshjen e parë me Mamurrasin. Lushnja merr fitoren e radhës dhe tani mendon për transfertën me Gramozin. Edhe këtë javë lushnjarët nuk kanë përfituar, sepse edhe rivalët kanë fituar. Kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe, e ka ndjekur ndeshjen në tribunën VIP, i shoqëruar nga të tjerë drejtues të bashkisë dhe nga kolegu i tij gramshiot. Ai kthehet në stadiumin Roza Haxhiu pas disa mungesash të bëra këtë sezon.
Trajnerët
Saimir Malko, trajner i Lushnjës: Ishte një ndeshje, që duhej ta fitonim dhe këtë bëmë, ndonëse humbëm shumë raste. Ndeshja u dominua totalisht nga skuadra jonë. Megjithatë, është një fitore e radhës dhe na gëzojnë pikët, pavarësisht se skuadra nuk shkëlqeu dhe humbi raste të shumta. Edhe pse rivalët fituan, për ne nuk ka rëndësi. Rëndësi për ne ka tani ndeshja e radhës me Gramozin.
Edmond Mustafaraj, trajner i Gramshit: Për ne ishte një ndeshje e barabartë deri në momentin e penalltisë, që ishte, por nuk kuptova kartonin e kuq të Jubicës, gjyqtar për të cilin kam shumë respekt. Skuadra luajti mirë edhe me një futbollist më pak. Suksese Lushnjës, që është vërtet një skuadër për superligë.
