E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlora, formaliteti i radhës për Elbasanin në shtëpi

Nga Elbasani, Elton Karaj

Verdheblutë janë të pagabueshëm në stadiumin Ruzhdi Bizhuta, ku kanë marrë maksimumin e pikëve deri tani

 

Elbasani Vlora     3-1
Shënues:
 Galica 39, Kuçi 53, Krekas 91 /  Serjani 77

Elbasani: Ruçi, Merxha, Sekseni, Bella, Musta, Gava, Kuçi, Dalipi (Dosti 79), Toçi, Olatunji (Halilaj 58), Galica (Krekasi 74).

Trajner: I. File.
Vlora: Hysi, Kaçani (Plepi 46), Myderosi, Bisha, Azizi, Idrizi, Strati, Hoxha (Veshaj 80), Çaushi, Serjani, Shabani (Dalipaj 62).

Trajner: A. Haxhiraj.
Gjyqtarë: E. Kello, A. Pelo, Ll. Qirjazi (Korçë)
Kartonë të verdhë: Toçi, Ruçi, Krekasi, Kaçani, Serjani, Azizi

Elbasani është kthyer të fitorja, duke bërë atë që ka bërë deri tani në stadiumin Ruzhdi Bizhuta, ku dje ka mundur Vlorën 3-1, me gola të shënuar nga Galica, Kuçit dhe Krekasi. Para ndeshjes është mbajtur një minutë heshtje për nder të dy personaliteteve të ndara nga jeta ditët e fundit, Leka Zogutt dhe Sabri Godos. Për ndeshjen duhet thënë se Elbasani e ka kontrolluar lojën, ka shënuar dhe më pas e ka administruar rezultatin. Një fitore e rëndësishme e verdhebluve, që i mban ata pranë kreut.

Loja nis më mirë nga ana e miqve nga Vlora, të cilët krijojnë disa raste për shënim, por nuk finalizojnë asnjë prej tyre. Rasti më flagrant është ai i minutë së 8-të, kur Shabani godet fort brenda zonës dhe portieri Ruçi bën një pritje mjaft të bukur. Më pas Elbasani merr kontrollin e lojës, e zhvendos atë drejt gjysmëfushës mike dhe e kërcënon portën e Hysit. Dalipi, në minutën e 20-të, godet shpejt, por topi kalon mbi tra.

Një minutë më pas po ky lojtar  godet në hyrje të zonës, por edhe këtë radhë pa gjetur kuadratin e portës vlonjate. Goli i parë vjen 6 minuta para mbylljes së pjesës së parë, kur Galica godet brenda zonës dhe, i ndihmuar edhe nga portieri Hysi, të cilit i kalon topi poshtë duarve, e kalon Elbasanin në avantazh.

Fundi i pjesës së parë flet për verdheblutë, të cilët përpiqen të shënojnë golin e dytë, por pa arritur. Pjesa e dytë ka të njëjtën tablo. Fillimisht janë vlonjatët që shfaqen rrezikshëm dhe Shabani, i vetëm përballë portierit Ruçi, nuk arrin të shënojë. Portieri elbasanas ka qenë në një ditë të mirë dhe e ka bllokuar sërish sulmuesin kundërshtar.

Në momentin më të mirë të miqve vjen goli i dytë i Elbasanit, që ka për autor mesfushorin Egert Kuçi, i ka ekzekutuar një goditje dënimi nga një distanë e largët dhe topi ka përfunduar në rrjetë. Ndeshja duket e mbyllur, por nuk dorëzohen vlonjatët, të cilët këmbëngulin dhe e ngushtojnë diferencën në minutën e 77-të, me anë të sulmuesit Serjani. Ai përfiton nga një mosmarrëveshje mes portierit Ruçi dhe mbrojtjes për ta dërguar topin në rrjetë, duke ngjallur shpresat për pikë.

Vlora merr zemër dhe hidhet e tëra në sulm për të barazuar. Elbasani mbrohet mirë dhe, kur u duk se takimi do të mbyllej 2-1, i riu Krekasi, i futur në fushë si zëvendësues, ka shënuar edhe golin e 3-të, pas topit të marrë nga Gava. Elbasani merr një fitore shprese, ndërsa Vlora mbetet në zonën e ftohtë.

Trajnerët


Ilirian File, trajner i Elbasanit:
E kishim vlerësuar këtë ndeshje dhe ia arritëm qëllimit të merrnim atë që dëshironim. Rëndësi kanë pikët, që erdhën edhe nga një lojë e mirë e skuadrës. I përgëzoj lojtarët për atë që dhanë në fushë.
Albert Haxhiraj, trajner i Vlorës: Ishte një takim deri diku i barabartë. Mendoj se ia dhuruam ne fitoren kundërshtarit, si në rastin e golave që shënoi Elbasani, por edhe në rastet që shpërdoruam. Nëse nuk shënon, e pëson. Tani duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›