E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lushnja në Superligë, Kastrioti një kat më poshtë

Pas një penalltie të humbur nga Bubeqi në minutën e 71-të, e një barazimi pa gola gjatë 120 minutave, Lushnja ia doli të mposhtë 4-2 Kastriotin nga gjuajtjet e penalltive, duke fituar me meritë një vend në Kategorinë Superiore në kampionatin e 70-të jubilar.
Kastrioti, që vitin e ardhshëm do të luajë një kategori më poshtë, e nisi takimin si favorit prodhoi shumë pak në fushë, dhe i vetmi moment i rëndësishëm për djemtë (e lodhur) të Ramadan Ndreut ishte pritja e penalltisë nga portieri Arjon Mustafa të ekzekutuar keq nga Dorian Bubeqi.
Tre ndërrime të shpejta për krutanët, dy nga këto në pjesën e parë, dhanë imazhin e një skuadre pa forcë, aq sa Erion Rizvanolli, sulmuesi kryesor i Kastriotit ishte hija e vetvetes.
Përkundrazi, verdhjeshilët e Artan Banos të udhëhequr në fushë nga dy kapitenë njëherësh, Hasalla me shiritin në krahë e veterani Elezi me udhëzimet e tij, ishin zot të fushës, duke rrezikuar në mënyrë të vazhdueshme portën e Kastriotit.
Nëntëdhjetë minutat e kohës së rregullt u mbyllën pa gola, dhe po të tilla edhe 30 minutat shtesë. Trajneri i Kastriotit besoi shumë të mrekullia e portierit Mustafa, por të tijtë gabuan dy herë kundrejt "snajperëve" lushnjarë.
Nigeriani Osui dhe gjirokastriti Braho gabuan dy penalltitë e para për Kastriotin, teksa Xhafa e Canka u treguan të pamëshirshëm, duke i dhuruar një avantazh 2-0 qysh në dy seritë e para të penalltive. Brahja e Gallo realizojnë për Kastriotin, por Bubeqi nuk gabon për herë të dytë, ndërsa Gersi Arbëri, e con në 4-2 dhe vulos rikthimin pas dy sezonesh mungesë të Lushnjës në Superligë.
Kastrioti do të luajë sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Parë, duke i bërë shoqëri Besëlidhjes e Skënderbeut, dy skuadrave të tjera të Superligës në sezonin 2007-2008 që ranë një kategori më poshtë.
Të shtunën, Teuta mbijetoi pas 120 minutave të cmendura, teksa fitoi 2-1 me Burrelin në "Qemal Stafa", falë golave të Dushkut (7') dhe penalltisë së Bledar Hodos (114'), kundrejt një goli të Xhixhës së Burrelit në minutën e 93-të të kohës së rregullt.
Kështu, panorama e Kategorisë Superiore për sezonin e ardhshëm do të jetë kjo: Dinamo (kampione në fuqi), Partizani, Besa, Elbasani, Shkumbini, Tirana, Vllaznia (fituese e Kupës), Flamurtari, Teuta, Bylis, Apolonia e Lushnja.
PLAY-OUT PËR KATEGORINË SUPERIORE
Kastrioti-Lushnja 0-0
Me penallti Lushnja fiton 4-2
E diel, 25 maj 2008
Stadiumi Kombëtar "Qemal Stafa"
Gjyqtar: Albano Janku
Penalltitë
KASTRIOTI
Osui (jo)
Braho (jo)
Brahja (po)
Gallo (po)

LUSHNJA
Xhafa (po)
Canka (po)
Bubeqi (po)
G.Arbri(po)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›