Dështimet e sukseset e legjionit kuqezi

Jetmir Halilaj (Panorama Sport)
Arjan Beqaj është i vetmi futbollist i Kombëtares shqiptare, që këtë sezon arriti të shpallej kampion i Qipros me skuadrën e tij Anorthosis Famagusta. Ai është padyshim ndër më të suksesshmit e këtij sezoni, pasi ka qenë titullar i padiskutueshëm në skuadër dhe një nga shtyllat që e ndihmoi atë të shpallej kampion. Një sezon i shkëlqyer ka qenë edhe për Ervin Skelën, i cili me formën e mrekullueshme që shfaqi këtë vit i dha një ndihmë të madhe Energi Kotbusit dhe ishte një nga pedanë kryesore të skuadrës që bënë të mundur qëndrimin në Bundesligën 1. Ai ishte mesfushori më i aktivizuar i kampionatit gjerman me 2988 minuta të luajtura këtë sezon. Vlonjati arriti të shënonte shtatë gola këtë vit dhe i dhuroi skuadrës së tij tri fitore radhazi në javët e fundit. Një sezon i mirë ka qenë edhe ai Hamdi Salihit, pasi bomberi shkodran shënoi 14 gola këtë vit me austriakët e Riedit, 12 prej të cilëve në kampionat, ndërsa dy në eliminatoret e Kupës UEFA. Ai u rendit i treti në listën e golashënuesve të kampionatit dhe ndër legjionarët që luajnë jashtë, ka më shumë se gjithë të tjerët. Një sezon mbresëlënës është edhe ai i Lorik Canës, i cili tashmë është shndërruar në një lider te Marseja, madje sezonin që shkoi mbajti në krah edhe shiritin e kapitenit të klubit të njohur francez. Marseja arriti të siguronte një vend në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm, falë edhe kontributit të madh të Canës. Mesfushori i Kombëtares shqiptare një pjesë të mirë të sezonit e luajti si qendërmbrojtës dhe trajneri i Marsejës, Erik Gerets, i ka thurur shpesh lavde Canës për atë cka jepte në fushë dhe për shpirtin luftarak të tij. Shqiptari është një ndër lojtarët më të aktivizuar në kampionatin francez. Për Lalën ka qenë gjithashtu një sezon i suksesshëm. Kapiteni i Kombëtares shqiptare e nisi si rezervë sezonin që shkoi te Hanoveri, por me formën e tij shumë të mirë arriti të rifitonte vendin e titullarit. Me trofe e mbylli këtë sezon edhe Altin Haxhi, i cili fitoi Kupën e Qipros me Apoel Nikosian. Mesfushori në pjesën e parë të sezonit te grekët e Ergotelisit ishte krejtësisht në hije, por pas transferimit në Qipro rifitoi formën e tij të mirë. Një sezon tepër të kënaqshëm bënë thuajse të gjithë kuqezinjtë që aktivizohen në Ukrainë. Dallku e Curri ishin titullarë të padiskutueshëm te Vorskla dhe ndihmuan ekipin që të shpëtonte. Titullarë të padiskutueshëm kanë qenë edhe Hidi, Bulku e Bylykbashi te Krivbasi, rendimenti i të cilëve qe konstant, cka ndihmoi skuadrën t'i shpëtonte rënies nga kategoria.
Dështimet
Me shumë qejf, të paktën gjashtë futbollistë shqiptarë që luajnë në klubet evropiane do të donin ta fshinin nga mendja sezonin 2007-2008. Erjon Bogdani, Edmond Kapllani, Alban Bushi, Besart Berisha, Igli Tare dhe Blerim Rrustemi. Bogdani shënoi vetëm dy gola sezonin që shkoi dhe padyshim që nuk ishte ky rendimenti që pritej nga sulmuesi i përfaqësueses shqiptare, i cili një vit më parë e mbylli me tetë gola sezonin në radhët e Kievos. Megjithëse jo vetëm për faj të tij (trajneri e aktivizonte shumë pak), ky është një nga sezonet më të dobëta të gjigantit kuqezi që nga koha kur është transferuar në kampionatin italian. Shumë i dobët ka qenë ky vit futbollistik edhe për Edmond Kapllanin, i cili pas një sezoni të shkëlqyer në Bundesligën 2 ku realizoi 17 gola te Karlsruhe, këtë vit shënoi vetëm dy gola. Një shifër me të cilën nuk mund të pajtohet kurrë një sulmues race, i cili është në kulmin e tij. 2 gola shënoi edhe Alban Bushi te grekët e Apollon Kallamariasë. Ai vuajti dëmtimet e shpeshta dhe formën jo të mirë fizike këtë vit. E megjithatë, ai që ka paguar më shtrenjtë nga të gjithë një dëmtim fizik gushtin e kaluar ka qenë sulmuesi Besart Berisha, i cili nuk luajti asnjë takim te skuadra angleze e Bërnleit sezonin që shkoi, pasi këputi ligamentet në miqësoren Shqipëri-Maltë 3-0. Ky mund të quhet vërtet një sezon i tmerrshëm për 22-vjecarin, që gjatë gjithë kësaj periudhe është impenjuar vetëm me riaftësimin. Një sezon aspak mbresëlënës ka qenë edhe për Igli Taren, i cili është aktivizuar me pikatore nga trajneri i Lacios, Delio Rosi. Për t'u harruar edhe sezoni i Kristi Vangjelit, mbrojtësit të majtë që te grekët e Arisit e kaloi një pjesë të madhe të kohës si rezervë. Ndërkaq edhe qendërmbrojtësi Blerim Rrustemi ka zhvilluar një sezon për t'u harruar te Rot Vais Erfurt, madje kjo duket se i ka kushtuar edhe një vend në Kombëtare.
Të rinjtë
Ky sezon mund të quhet i suksesshëm edhe për Samir Ujkanin dhe Edgar Canin, dy të rinjtë shqiptarë që u transferuan te skuadra e Palermos. Megjithëse nuk mundën të debutonin në Serinë A, gjithsesi ky mbetet një sukses për ta. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Xhulian Rrudhon, i cili nga Kievo u transferua te Sansovino në Serinë C1.
Trajneri
Nëse do të vazhdonte të ishte Oto Baric në krye të Kombëtares, një pjesë e mirë e lojtarëve me të drejtë duhej të shqetësoheshin, pasi ishte në parimin e tij që t'u jepte përparësi atyre që aktivizoheshin rregullisht. Ndryshe nga ai, Ari Han iu ka bërë të qartë lojtarëve se do t'ua japë një shans të gjithëve e më pas do të vendosë përfundimisht.
SHIFRAT
2
janë futbollistët e Kombëtares shqiptare që sezonin e ardhshëm do të marrin pjesë në Ligën e Kampioneve. Bëhet fjalë për Lorik Canën (Marsejë) dhe Arjan Beqajn (Anorthosis Famagusta).
1
Vetëm një nga lojtarët e Kombëtares shqiptare arriti të shpallej kampion këtë sezon me skuadrën e tij. Bëhet fjalë për portierin Arjan Beqaj, i cili fitoi titullin me qipriotët e Famagustës.
2
gola kanë shënuar tre nga sulmuesit e Kombëtares gjatë këtij sezoni. Bogdani (Livorno), Kapllani (Karlsruhe) dhe Bushi (Apollon Kallamaria) s'mundën të shënonin më shumë se dy gola.
0
Asnjë ndeshje nuk arriti të luante Besart Berisha këtë sezon dhe ky padyshim ishte një vit për t'u harruar nga lojtari. Ai këputi ligamentet në gushtin e kaluar në ndeshjen Shqipëri-Maltë.
14
gola shënoi Hamdi Salihi me Riedin këtë sezon dhe ai është lojtari i kombëtares shqiptare që luan jashtë, i cili ka shënuar më shumë nga të gjithë. Pas tij renditet Skela me 7 gola.
15
gola realizoi Klodian Duro këtë sezon me Tiranën dhe aktualisht ka shënuar më shumë se të gjithë futbollistët e tjerë që ka grumbulluar Hani për ndeshjen kundër Polonisë.