Lushnja pret një të shtunë spektakolare në Roza Haxhiu
Verdhejeshilët e drejtuar nga trajneri Malko do të përpiqen tu tregojnë rivalëve të tyre në ndeshjen direkte se cili është futbolli i vërtetë
Nuk ka vend për eufori, por për përgatitje të fortë, në mënyrë që javën e fundit të kampionatit të arrihet kalimi direkt në superiore. Kjo është motoja e skuadrës lushnjare, që kërkon ta kthejë në festë ditën e shtunë, pasi të mundë Kukësin në stadiumin Roza Haxhiu. Nëse ia arrin qëllimit, Lushnja kthehet pas tre vjetësh në superiore dhe të gjithë në qytet mezi po e presin një ngjarje të tillë.
Tifozët lushnjarë duan ta shohin në elitën e futbollit shqiptar skuadrën e tyre, që këtë kampionat ka luajtur e vetme kundër të gjithëve. Të paktën një javë para fundit gjirokastritët i dhanë më shumë emocion këtij sezoni, duke barazuar në fushën e Kukësit. Në Lushnjë të gjithë mendojnë se ishte pikërisht Kukësi që e prishi garën dhe, sipas tyre, paratë e derdhura lumë për ta bërë një gjë të tillë mund të ishin shpenzuar fare mirë për të ndërtuar një skuadër të fortë.
Ky është opinioni i lushnjarëve, të cilët duan tu tregojnë kuksianëve se si luhet futbolli këtë fundjavë. Skuadra e drejtuar nga trajneri Sajmir Malko, që prej javës së 7-të, luan vetëm finale dhe ironia e do që ajo të fitojë me tre gola diferencë pikërisht ndaj Kukësit për të qenë në superligë pa ndeshje shtesë. Të gjithë shpresojnë në Lushnjë që ndeshja të jetë fair-play dhe e gjykuar mirë.
Federata mund ti bëjë llogaritë mirë, sepse u pa qartë se çfarë u bë ndeshjen e fundit në Kukës. E gjithë Shqipëria e pa presionin dhe brutalitetin e vendësve në atë fushë. Kurse në Lushnjë, në stadiumin që mban emrin e një futbollisti të madh si Roza Haxhiu, ditën e shtunë do të jetë një spektakël i vërtetë. Do të ketë koncert dhe fishekzjarre, ndërsa në fushë le të fitojë më i miri.
Kjo është kultura lushnjare për sportin, pa e kërkuar fitoren me çdo kusht dhe duke dëmtuar shëndetin e kundërshtarit me ndërhyrje që nuk lejohen as në filma me arte marciale.
