E Diel, 1 Nëntor 2026

Peçi: Gramozi nuk do të zhgënjejë në ndeshjen shtesë

Nga Kristi Lilo

Mbrojtësi kolonjar, Visi Peçi, beson se ekipi i tij do të jetë pjesë e kategorisë së pare edhe sezonin e ardhshëm

Futbollistët kolonjarë, pas një dite pushimi, kanë nisur dje punën për transfertën e Burrelit, që nuk ka ndonjë rëndësi të madhe, pasi dihen pozicionet për të dy ekipet. Gramozi është i detyruar të luajë një ndeshje shtesë për të siguruar qëndrimin në kategorinë e parë dhe kuptohet që mendjen e ka pikërisht te kjo ndeshje.

Mbrojtësi Visi Peçi shprehet optimist për play-out-in dhe thekson se Gramozi e meriton të jetë pjesë e së parës. Pikët e marra me Butrintin na kanë çliruar, sepse kemi shmangur rënien direkte në kategorinë e dytë. Them se kemi bërë një hap përpara drejt realizimit të objektivit. Gramozi nuk do të zhgënjejë, sepse i ka të gjitha mundësitë që ta fitojë ndeshjen shtesë, që ka shumë mundësi ta luajmë me Naftëtarin.

Eshtë një kundërshtar me traditë dhe vlera, por Gramozi, duke pasur tashmë një përvojë disavjeçare dhe një ekip që nuk e meriton këtë vend që mban aktualisht, do ta kalojë me sukses, thekson Peçi, i cili shënoi një nga dy golat në fitoren 2-1 me sarandiotët. Më tej, ai komenton edhe ndeshjen e radhës:

Të shtunën do të luajmë me Burrelin, ku do të kërkojmë të marim të paktën një pikë. Burreli është një nga ekipet që ka treguar vlera dhe qëndrueshmëri fazën e dytë, falë lojtarëve që ka. Vëmendja jonë është te ndeshja shtesë, që duhet ta fitojmë patjetër, por edhe në Burrel do të shkojmë për të shfaqur vlerat tona më të mira.

Gjatë këtyre dy javëve duhet shumë punë dhe mobilizim, që të mos zhgënjejmë. Dua të falënderoj drejtuesit klubit, që po na qëndrojnë shumë pranë. Ata kanë menduar, që stërvitja pas ndeshjes me Burrelin të zhvillohet në qytetin e Durrësit, sepse duhet të ambientohemi me temperaturat e larta, ka përfunduar Peçi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›