E Diel, 1 Nëntor 2026

Lushnja reflekton në kupë, mezi pret Himarën

Nga Julian Kasapi

Lushnjarët kanë analizuar humbjen në Vlorë, por pa sanksione. Pritet rikthimi te fitorja edhe në kampionat me himariotët

Lushnjarët kanë nxjerrë mësimet e tyre nga humbja në transfertë me skuadrën e Vlorës dhe kanë bërë reflektimin e parë, duke fituar në ndeshjen e kupës me Kamzën, ndonëse nuk e kanë synim këtë kompeticion. Skuadra ka bërë një analizë të gjatë të faktorëve që çuan në humbjen e tri pikëve në Vlorë edhe me pjesëmarrjen e drejtuesve të klubit.

Pas analizës nuk është bërë shumë publike se çfarë u diskutua, por është thënë me zë të ulët nga të gjithë se futbollistët nuk do të kenë sanksione për këtë herë. Me sa duket, presidenca e ka kaluar pa bërë ndonjë veprim ndaj futbollistëve, të cilët duket se janë më shumë të angazhuar.

Trajneri Baballëku Sipas trajnerit të Lushnjës, Ramadan Baballëku, skuadra ka reflektuar dhe kjo do të jetë rruga e duhur: Nuk na del e keqja që nga humbja e ndeshjes me Vlorën në transfertë. Edhe pse fituam me Kamzën në këtë ndeshje të parë, e kam mendjen te kampionati. Më pëlqeu që djemtë reflektuan dhe morën barrën e ekipit mbi supe. Pres shumë nga të gjithë të marrin peshën dhe fatet e skuadrës në duar.

Më duhet të them me shumë respekt se Sefa është një futbollist  profesionist, që mban peshë në skuadër dhe ka ardhur në formën që ne duam. Në përgjithësi, edhe me ndonjë ndërrim pozicioni në formacion, mund të them se do ti kushtojmë vëmendje maksimale takimit të radhës me Himarën në shtëpi, sepse nuk duhet të kemi probleme. Jam i mendimit se Lushnja do të dijë të bëjë kthesën e duhur, duke iu rikthyer fitores në kampionat, – ka theksuar mes të tjerash trajneri Baballëku pas fitores së djeshme me Kamzën.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›