E Diel, 1 Nëntor 2026

Lushnja synon të kthejë Xhafën dhe Koreshin

Nga Julian Kasapi 

Mbrojtësi Erion Xhafa dhe mesfushori Erind Koreshi mund të kthehen në bazë, ndërkohë që në planet e merkatos është edhe një sulmues

Drejtuesit e Lushnjës janë të angazhuar për ta forcuar skuadrën me 2-3 elementë cilësorë gjatë merkatos së dimrit, me qëllimin që superliga të arrihet direkt dhe jo me ndeshje shtesë. Lushnjarët, pavarësisht nisjes së dobët dhe humbjes së javës së fundit të fazës së parë në Kukës, i kanë mundësitë për ta mbyllur kampionatin në dyshen e parë, nëse grupit aktual do ti shtohet ndonjë lojtar cilësor.

Xhafa-Koreshi Dhe drejtuesit e skuadrës myzeqare preferojnë që të marrin lojtarë të dalë nga shkolla lushnjare. Pasi kanë kthyer para nisjes së kampionatit Fatjon Sefën, Ibrahim Bejten, Alban Byzhytin, Fatjon Topin dhe ndonjë tjetër, ata kërkojnë të bëjnë tani të njëtën gjë me mbrojtësin Erion Xhafa dhe mesfushorin Erind Koreshi. Janë dy lojtarë me vlera, që do ti jepnin më shumë cilësi grupit që drejtohet nga trajneri Saimir Malko.

Për momentin është gjithçka në kuadrin e bisedimeve, por mundësitë janë të mëdha që në Roza Haxhiu të kthehen edhe dy lojtarë superlige. Erion Xhafa aktualisht është pjesë e Kastriotit, që këtë sezon ka një ecuri mjaft të mirë, ndërsa Koreshi luan me fanellën e Bylisit. Rikthimi i tyre bëhet më i besueshëm nisur nga fakti se skuadra këtë sezoni ka një mbështetje të konsiderueshme nga bashkia e qytetit, aq më tepër që këshilli bashkiak ka miratuar një fond mjaft të mirë për vitin 2012.

Sulmi Ditët në vijim do të qartësojnë merkaton e lushnjarëve, të cilët kanë në planet e tyre edhe një sulmues, por në këtë drejtim nuk ka ende asnjë emër konkret. Gjatë fazës së pare, për Lushnjën ka luajtur sulmuesi Fatjon Sefa, por që nuk ka pasur rendimentin që pritej.

Shënuesi më i mirë për lushnjarët është Mikel Canka, me 10 gola, por stafi teknik dëshiron që të ketë siguri, ndaj dhe synon ta forcojë repartin e avancuar me një tjetër lojtar cilësor. Tifozëria lushnjare pret që të konkretizohen sa më parë lëvizjet e planifikuara nga drejtuesit e skuadrës, në mënyrë që Lushnja të shfaqet më bindshëm në 15 ndeshjet e mbetura të kampionatit.

Mali i Zi Lushnja mund të shpërngulet drejt Malit të Zi për të bërë një fazë përgatitore së më të mirë, duke qenë se e ka të garantuar anën financiare. Trajneri Malko ka filluar ditën e enjte punën me grupin e futbollistëve dhe kuptohet që faza përgatitore është shumë e rëndësishme për fazën e dytë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›