E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekseni: Jam lojtar i Elbasanit, nuk e braktis

Nga Elton Karaj

Mbrojtësi kryeqytetas, Ardi Sekseni, garanton se do të luajë për ekipin verdheblu edhe gjatë fazës së dytë të kampionatit

Ekipi i Elbasanit vazhdon prej dy ditësh stërvitjen në kompleksin Shefqet Lamçja, por edhe dje ka pasur mungesa në radhët e  verdhebluve. Në dispozicion të trajnerit File nuk kanë qenë lojtarët Galica, Sekseni dhe Olatunji. Sulmuesi shkodran Elhan Galica u shpreh hapur për Sportin shqiptar se ishte pranë largimit nga Elbasani, pasi në situatën aktuale e ka të vështirë të kthehet tek ekipi, ku u aktivizua gjatë fazës së parë.

Sekseni Ndryshe është çështja e mbrojtësit kryeqytetas Ardi Sekseni, i cili ka thënë se do të vazhdojë të luajë me ekipin verdheblu edhe gjatë fazës së dytë. Sekseni, një nga pikat më të forta të Elbasanit këtë sezon, beson se çdo gjë do të rregullohet te ky ekip. Ai mendon gjithashtu se ekipi do të mbështet fuqishëm nga kryetari i bashkisë, z.Qazim Sejdini.

Kam besim se kjo situatë është kalimtare tek Elbasani dhe do të ndryshojë shumë shpejt. Edhe pse jemi disi prapa me pikë, them se do të jemi sërish ai ekip pretendent që ishte menduar që në fillim të sezonit. Do të vazhdoj të luaj për Elbasanin, pasi jam lojtar i këtij ekipi. Bashkë me shokët e tjerë do të vijojmë përgatitjet për fazën e dyë, që ta rikthejmë Elbasanin aty ku i takon, në superligë.

Gjithashtu, kam besim se edhe kryetari i bashkisë, z.Qazim Sejdini, do të ndërhyjë për ta stabilizuar sadopak situatën e krijuar në ekip. Elbasani nuk e meriton të qëndrojë në këto pozita dhe ne që mbajmë fanellën e tij do të përpiqemi ta ngrejmë sa më lart për ta nderuar emrin e tij, ka thënë mes të tjerash mbrojtësi Sekseni.

Mehmetaj Me Elbasanin është stërvitur këto ditë edhe mbrojtësi Armand Mehmetaj, i cili në fazën e parë ka luajtur për Apoloninë. Ka mundësi që ai të veshë fanellën e Elbasanit gjatë fazës së dytë, edhe pse ende nuk ka asgjë zyrtare nga te dyja palët. Mbrojtësi duket se ka gjetur akordin me presidentin Arben Laze për tu rikthyer tek ekipi mëmë dhe, nëse ndodh kështu, do ta ndihmonte shumë Elbasanin në mbrojtje. Mehmetaj do të ishte përfocimi i duhur për verdheblutë në krahun e djathtë të mbrojtjes, ku ekipi ka pasur vazhdimisht probleme.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›