E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lushnja, vetëm një betejë e humbur për Luftëtarin

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI

Gjirokastritët janë mundur minimalisht në Roza Haxhiu, por mbeten të shkëputur në krye dhe nuk ka arsye për të humbur qetësinë

Sfida Lushnja-Luftëtari, si kryendeshja e javës së 21-të, ku u përballën dy nga katër ekipet më historike të kategorisë së parë (Elbasani, Besa, Luftëtari, Lushnja), u prit me interesim të madh jo vetëm në Gjirokastër dhe Lushnjë, por edhe në qytetet e ekipeve pretendente. Në Gjirokastër kishte fituar Luftëtari fazën e parë, ndërsa të shtunën ky ekip humbi 1-0 në stadiumin Roza Haxhiu, rezultat i njëjtë me atë të dy humbjeve të tjera që kishte pësuar më parë.

Është e pranueshme edhe humbja në një kampionat dhe rëndësi për të ardhmen ka përballimi i saj. Humbja gjithmonë ka shije të hidhur, por për Luftëtarin kjo humbje në njëfarë mënyre i gërvishti madhështinë, aq më tepër që mbi 30 minuta kundërshtari pati inferioritet numerik, sepse një lojtar i Lushnjës doli jashtë luftimit nga kartonët.

Humbja e Luftëtarit erdhi si rezultat i faktorit fushë, i aftësisë së golashënuesit më të mirë të Lushnjës dhe kampionatit, Cankës, si dhe faktit që disa titullarë të tij nuk ishin në formën e duhur sportive. Porta e gjirokastritëve u kap në befasi, pasi është goditur nga mbi 20 metra largësi rrjeta e saj.

Stafi teknik pa dyshim që do të bëjë analizën e thellë dhe do të nxjerrë konkluzionet përkatëse, ndërkohë që më pas do të nisë përgatitjet për ndeshjen me Butrintin, që e pret për javën e 22-të. Në radhët e ekipit kryesues nuk arsye pse të shfaqen nuanca ligështimi, sepse ekipe absolutisht  të pathyeshëm nuk ka. Ai vazhdon të posedojë treguesit më të mirë, me 2 fitore më shumë se ndjekësi më i afërt, Kukësi.

Po ashtu, ka sasinë më të paktë të humbjeve dhe një më pak se vetë Lushnja, kështu që kryeson me 6 pikë diferencë nga vendi i dytë (si për koincidencë kjo ndodh edhe me gjigantët spanjollë, Realin dhe Barcelonën). Ndeshja që do të luhet në Gjirokastër me Butrintin pa dyshim që do kujdesin dhe përqendrimin e duhur, pasi kundërshtari ka ambiciet e veta dhe, si gjithë ekipet, edhe ai ka dëshirën të fitojë me kryesuesin për tu mburrur.

Butrinti Duke filluar që sot, Luftëtari në radhë të parë duhet të gjejë qetësinë shpirtërore dhe të bëjë gjithë përgatitjet për tu kthyer te fitorja plotësisht e mundshme, por që arrihet me nerv të tendosur. Në fund të fundit, Luftëtari humbi vetëm një betejë dhe nuk duhet të mërzitet, pasi luftën e ka të fituar, nëse nxjerr në pah forcat e tij reale, siç ka bërë në shumë e shumë ndeshje deri tani.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›