Lushnjarët entuziastë, vendi i dytë rrit besimin
Ka qenë një fitore me vlera të dyfishta ajo që Lushnja arriti të shtunën me Lushnjën në fushën e saj. Skuadra e drejtuar nga trajneri Malko ka bërë ligjin ndaj vlonjatëve, duke marrë tri pikë të merituara, që, falë edhe golaverazhit më të mirë se rivalët, e kanë ngjitur në vend të dytë. Ishte pikërisht kjo ajo që prisnin verdhejeshilët nga java e 17-të. Kukësi është ndalur në Burrel dhe lushnjarët nuk mund ta humbisnin rastin për ta parakaluar në tabelën e renditjes.
I zakonshmi Mikel Canka ka nxjerrë një tjetër ndeshje për tu mbajtur mend, duke shënuar 3 herë në portën e Vlorës dhe duke marrë kryesimin në listën e golashënuesve më të mirë të kategorisë së parë. Falë golave të tij, Lushnja mban vendin e dytë aktualisht, që do të thotë ngjitje direkt në superligë. Tani detyra e myzeqarëve është që ta ruajnë këtë vend, duke u shkëputur nga rivalët, që nuk janë të paktë.
Ky sukses ka ardhur në momentin e duhur dhe tashmë lushnjarët e kanë vetë në dorë fatin e tyre, mjafton që të bëjnë detyrën, duke kërkuar fitoren në çdo javë, edhe pse do të jetë shumë e vështirë. Stafi teknik dhe futbollistët janë entuziazmuar së tepërmi pas fitores së thellë me Vlorën, por kuptohet që këtu nuk ka vend për eufori.
Futbollistët e Lushnjës, shumica me shumë përvojë, e kanë të qartë këtë gjë dhe nuk mund të kalojnë në vetkënaqësi. Skuadra verdhejeshile do të nisë sot përgatitjet për transfertën e Himarës, që është shumë e rëndësishme, sepse një fitore e mundshme do të konsolidonte pozicionin e saj dhe do të rriste edhe më tej besimin për kalimin direkt në kategorinë e më të mirëve.
