Elbasani prish syrin e keq në Gramsh
Suksesi në derbin e së shtunës që shkoi ka treguar se skuadra verdheblu ka ndryshuar vërtet dhe ka shanse reale për superligën
Elbasani ka arritur më në fund të marrë fitoren e parë jashtë fushe, duke mundur Gramshin në fushën e tij. Ishte një ndeshje vërtet përcaktuese dhe verdheblutë, ashtu siç kishin premtuar, ia kanë dalë të marrin 3 pikët, që i mbajnë në garën e superligës. Heroi i verdhebluve ka qenë mesfushori Endri Dalipi, i cili ka shënuar golin e fitores në këtë transfertë 4 minuta para përfundimit të ndeshjes.
Në Gramsh është luajtur vërtet një ndeshje për jetë a vdekje, ku elbasanasit kanë treguar se e kanë eksperiencën e nevojshme për ta kaluar situatën e vështirë dhe për të qenë pretendentë seriozë gjatë gjysmës së dytë të kampionatit. Ka qenë edhe një përgjigje ndaj skeptikëve fitorja në Gramsh, ku Elbasani ka dhënë sinjalin e parë se është ndryshe nga faza e parë.
Ndryshimet që janë bërë në skuadër kanë bërë të vetën dhe tani perspektiva duket më e mirë, pasi shanset për një vend në 5-shen e parë janë shtuar. Për më tepër, Elbasani pret këtë javë në stadiumin Ruzhdi Bizhuta një rival të drejtpërdrejtë, Besëlidhjen. Stafi teknik e kishte përgatitur mjaft mirë skuadrën për derbin dhe gjithçka funksionoi si duhet, edhe pse fitorja u arrit me vështirësi.
Të gjithë lojtarët kanë qenë protagonistë në atë ndeshje, duke filluar nga portieri Ruçi, i cili ka qenë në një ditë të mirë dhe nuk ka lejuar prekjen e rrjetës së tij. Edhe mbrojtja e ka bërë mirë punën e saj, ndërkohë që të ardhurit në merkaton e dimrit treguan se janë lojtarë të vlefshëm për Elbasanin. Mërtiri, Dushku dhe Mehmetaj janë paraqitur shumë mirë, duke qenë të saktë përballë sulmuesve kundërshtarë.
Duhet theksuar se mbrojtja ka qenë arma më e fortë e skuadrës verdheblu në fitoren me Gramshin. Pa dyshim që kjo fitore duhet të pasohet nga të tjera, sepse në të kundërt nuk do të kishte asnjë vlerë. Është vetëm fillimi i një rruge të gjatë deri në përfundim të kampionatit, ku verdheblutë besojnë se do të kalojnë çdo kundërshtar dhe në play-off do të jenë patjetër.
