Lushnje zjarr ne hekurudhe
Zjarri i rënë mesditën e mërkure, ka djegur të pakten 30 traversa të hekurudhës Lushnje-Rrogozhinë, ndërkohë që dhjetëra të tjera janë djegur pjesërisht duke shkaktuar ndalimin e qarkullimit hekurudhor nëpër Lushnje, deri në marrjen e masave. Sipas policisë zjarrfikëse të Lushnjes, njoftimi për rënien e zjarrit në zonën e komunës Golem dhe Dushk ka ardhur nga drejtuesit e automjeteve, kalimi i të cilave përgjatë aksit rrugor Lushnje-Çerm u vështirësua për shkak të tymit që mbuloi rrugën. Ky nuk është rasti i parë që digjet kjo zonë, e cila karakterizohet nga një sipërfaqje e madhe me barishte të thata. Në periudhën e verës punonjësit e mirëmbajtjes së hekurudhës për të pastruar linjën u vënë flakën barishteve, por kësaj here, era, e cila ka fryrë me shpejtësi deri në 20 km në orë ka sjellë përhapjen e flakëve në drejtim të hekurudhës dhe kodrës së Golemit. Përpjekjet e zjarrfikëses për të shuar zjarrin në hekurudhë kanë vazhduar disa orë. E gjithë sipërfaqja e djegur arrin në 7 dynymë. Ende nuk dihen autorët e zjarrvënies, ndërsa është policia e rendit e cila po punon për zbardhjen e shkaqeve të vërteta që çuan në djegien e dhjetëra traversave hekurudhore.