E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olimpistet nisen drejt Londres

“Nuk heqim dorë nga ëndrra”. Kjo është motoja e përdorur nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar për përfaqësuesen kuqezi pjesëmarrëse në “Londër 2012”. Numërimi mbrapsht ka filluar dhe pas javëve të gjata përgatitjesh, tashmë olimpistët shqiptarë janë gati të konkurrojnë në Lojërat Olimpike.

Ekipi olimpik shqiptar, i përbërë nga 11 sportistë, trajnerët dhe stafi i KOKSH janë nisur në mesditën e së mërkurës drejt Londrës, për të vazhduar edhe disa ditë përgatitjet në kryeqytetin anglez përpara zhvillimit të garave.

Momenti i nisjes është shfrytëzuar nga KOKSH për të organizuar një ceremoni modeste në ambientet e Hotel Rogner, aty ku ekipi përfaqësues olimpik zhvilloi një grumbullim një javor. Sportistët kuqezi janë uruar nga sekretari i Përgjithshëm të KOKSH, Stavri Bello, ndërsa ekipi është nisur drejt aeroportit me në krye flamur-mbajtësen Romela Begaj.

Evenimenti më i rëndësishëm sportiv starton më 27 korrik dhe përfundon më 12 gusht. Ndërkohë që 11 sportistët shqiptarë në “Londër 2012” do të nisin konkurrimet prej datës 28 korrik, ndërsa e fundit që garon është atletja Klodiana Shala më 6 gusht.

Natyrisht që pretendimet më të mëdha të Shqipërisë për rezultat janë në peshëngritje, me Romela Begajn për femra dhe Hysen Pulakun e Daniel Godellin për meshkuj, por edhe në sportin e xhudos, me ish-kampionen e botës për të reja, Majlinda Kelmendi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›