E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lushtaku dënohet dy muaj

Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), në mbledhjen e vet të mbajtur të premten, i ka shqiptuar një dënim kryetrajnerit të Drenicës, Tahir Lushtaku, prej dy muajsh moskryerje të detyrës së tij.

Ky dënim i është shqiptuar Lushtakut, i cili pas ndeshjes së javës së kaluar Drenica – Vëllaznimi është sjellë në mënyrë josportive ndaj bankinës së ekipit gjakovar. Kjo ka qenë edhe arsyeja që Komisioni i Garave i FFK-së pati iniciuar procedurë disiplinore ndaj tij.

Lushtaku paralajmëron se do të ankohet ndaj këtij dënimi, siç thotë ai, nëse është nevoja edhe në gjyq.

“Bankina e Vëllaznimit më ka provokuar dhe më ka fyer. Ky dënim është i tepërt dhe shumë i padrejtë. Unë do të ankohem dhe jam i gatshëm të përballem edhe në gjyq, sepse kam fakte me bollëk. Nëse vjen deri te gjyqi, aq shumë kam fakte, sa dikush do të pësojë shumë”, deklaroi Lushtaku për Express.

“Ka shumë ndeshje që ekipi im është dëmtuar rëndë. Është për të ardhur keq fakti se në FFK janë disa njerëz që nuk kanë lidhje me futboll. Ju garantoj, se për faj të njerëzve të tillë që gjenden në çdo komision të FFK-së, futbolli kosovar do të ballafaqohet me pasoja të rënda në një të ardhme të afërt”, shtoi ai.

Ky komision edhe ndihmëstrajnerin e Lushtakut, Skender Mustafën e ka ndëshkuar me masën e qortimit. Njëjtë është ndëshkuar edhe kryetrajneri i Vëllaznimit, Ajet Shosholli.

Ndërsa lojtari i Drenicës, Besim Bajraktari dhe ai i Vëllaznimit, Erdin Hashani janë dënuar nga Komisioni Disiplinor me nga tri ndeshje moslojë. Kurse gjyqtari i atij takimi, Besmir Haxhikadrija, është dënuar me tre muaj moskryerje të detyrës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›