E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thyen rekordet në Valerenga

Talenti kosovar, Kamer Qaka ka filluar t’i mahnitë adhuruesit e futbollit në Norvegji. Pasi ka nënshkruar kontratë profesioniste me Valerengan, 15 vjeçari ka hyrë në histori të gjigantit norvegjez si futbollisti më i ri që ka luajtur ndonjëherë me ekipin e parë.

Mesfushori me prejardhje nga Kosova të enjten ka debutuar me ekipin e parë të Valerengas, në ndeshjen e rrethit të parë të Kupës së Norvegjisë kundër ekipit Oppsal. Ai në ndeshje ka hyrë në minutën e 46-të, derisa ka arritur të shënojë golin përfundimtar të kësaj përballjeje 1:11.

“Kjo qe një eksperiencë e mirë për mua. Kam marrë vetëbesim të madh pas kësaj paraqitjeje. Synimi im ka qenë gjithmonë që të luaj me ekipin e parë të Valerengas”, ka thënë Qaka, i cili për herë të parë luante në prani të një numri të madh spektatorësh.

Pasi ka realizuar ëndrrën që të luajë me ekipin e parë të Valerengas, mesfushori 15 vjeçar pret të luajë edhe në ndeshjet e tjera, pse jo edhe në elitën e futbollit norvegjez (Tippeligaen).

Kamer Qaka vlerësohet si njëri ndër futbollistët më të talentuar në Norvegji. Ndërsa, sipas medieve norvegjeze, interesim për t’i siguruar shërbimet e kosovarit ka shprehur kampioni aktual i Spanjës dhe Evropës, Barcelona.

Mirëpo, përveç katalunasëve, interesim për Qakën kanë shprehur klubi anglez Blackburn Rovers, ai danez Brondby dhe dy skuadrat nga Bundesliga gjermane, Hamburg e Werder Bremen.

Trajneri lavdëron Qakën

Trajneri i Valerengas, Martin Andresen, ka lavdëruar talentin kosovar, të cilit i dha mundësinë që të debutojë me ekipin e parë të gjigantit norvegjez. Sipas tij, Qaka mund të arrijë shumë nëse vazhdon të punojë.

“Ne kemi dashur që Kameri të shijojë disa ndeshje me ekipin e parë. Besojmë se ai do të mund të bëhet lojtar i mirë, nëse vazhdon të punojë. Nëse e ka përqendrimin e duhur, bën punë të madhe dhe mos të ketë lëndime, ai mund të shkojë larg. Ai është njeri prej futbollistëve që do të mund të luajë për Valerengan për një kohë të gjatë”, ka thënë Andresen për ueb faqen zyrtare të klubit.

Ai thotë se talenti kosovar ka teknik të mirë, por mund të zhvillohet edhe më tepër. Sipas Andresenit, mesfushori shtatshkurtër ka bërë arritje të madhe kur merret parasysh mosha e tij – 15 vjet

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›