Lushtaku ia solli fitoren Munchen 1860

Kushtrim Lushtaku ia ka sjellë fitoren klubit të tij Munchen 1860, në ndeshjen miqësore të zhvilluar të dielën pasdite kundër Burghausenit, para fillimit të sezonit pranveror.
Sulmuesi kosovar tregoi paraqitje mjaft të mirë dhe luajti gjatë gjithë ndeshjes. Ai kontribuoi në këtë fitore të klubit nga Bundesliga 2 gjermane. Ish-futbollisti i Drenicës e shënoi golin e fitores për Munchen 1860 në minutën e 68.
Ekipi nga liga e tretë gjermane, Burghausen kishte kaluar në avantazh qysh në minutën e dytë përmes Marco Woodit, ndërsa rezultatin momental e kishte barazuar Manuel Schaffler (23’), para golit vendimtar, të shënuar nga 20-vjeçari Lushtaku. Sulmuesi i ri kosovar i ishte bashkuar ekipit gjerman, Munchen 1860, verën që shkoi, duke nënshkruar kontratë katërvjeçare.