E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lushtaku jep dorëheqje

Tahir Lushtaku ka dhënë dorëheqje nga posti i trajnerit të Drenicës. Ai nuk ndihet fajtor për rezultatet e dobëta të kuqezinjve, por thotë se bëri akt moral, për të mirën e klubit. Përkohësisht, Drenicën do ta drejtojë Afrim Jashari. Gjatë dimrit priten ndryshime të mëdha në klubin drenicas.

Tahir Lushtaku nuk është më trajner i Drenicës. Ai e ka ofruar dorëheqjen të enjten, pas rezultateve të dobëta të klubit kuq e zi në ndeshjet e fundit. Drenicasit kanë pësuar katër humbje rresht dhe si rezultat i kësaj, Lushtaku e pa të arsyeshme të sakrifikohet.

“Unë e kam bërë një analizë të thellë për situatën aktuale dhe me këtë rast e kam ofruar dorëheqjen. E kam marrë këtë vendim për të mirën e klubit, është një akt moral. Nuk ishte problemi tek unë, pasi që rezultatet munguan sepse nuk kishim fat, por e përsëris, e mora këtë vendim për të mirën e klubit. Gjithashtu, pati edhe probleme më të thella, që nuk dua t’i përmend. Unë i uroj sukses Drenicës dhe i falënderoj të gjithë lojtarët që kanë qenë pjesë e ekipit”, deklaroi Lushtaku për Express.

Kryesia e klubit ka intervenuar menjëherë, duke e emëruar pasardhësin e Lushtakut. Ai do të jetë Afrim Jashari, i cili do t’i drejtojë përkohësisht drenicasit.

“Pasi morëm vendimin e Lushtakut, na u desh ta zëvendësonim menjëherë atë me Afrim Jasharin, i cili i ka drejtuar në të kaluarën grupmoshat e reja. Lushtaku e ka dhënë maksimumin dhe mossuksesi nuk ishte faj i tij, ngase na mungoi fati”, deklaroi kryetarja e klubit, Mihane Kadriu-Bekteshi.

Ajo njoftoi se gjatë dimrit Drenica do të bëjë ndryshime të mëdha, duke sjell lojtarë të rinj në skuadër, ndërsa paralajmëroi edhe largimin e disa lojtarëve aktualë, me të cilët kryesia e klubit është e pakënaqur.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›