E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Këshillimi i karrierës" rikthen ekspertët e Ministrisë së Arsimit në gjimnaze

Çfarë duhet të zgjedhin maturantët për të ardhmen e tyre dhe si nuk duhet të gabojnë në përcaktimin e 10 preferencave në plotësimin e Formularit A2; por edhe shpjegimi për mënyrën e llogaritjes së pikëve, duke u nisur nga rezultatet e fituara së bashku me koeficientet për llojin e shkollave dhe degëve. Është diskutimi dhe konsultimi për këto çështje, ai i cili ka bërë që ekspertë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës t‘u rikthehen edhe një herë shkollave të mesme të kryeqytetit.

Ky proces, i cili filloi që një vit më parë, konsiston në atë që quhet zhvillimi i këshillimit të karrierës. Kjo konsiderohet si një udhërrëfyese për maturantët në zgjedhjen e degës së arsimit të lartë.

Pas aplikimit të formularit A1 për provimet e Maturës Shtetërore nga maturantët, në të gjitha shkollat e mesme të kryeqytetit janë shpërndarë në institucionet arsimore grupe ekspertësh të Maturës Shtetërore për informimin e maturantëve lidhur me përcaktimin e saktë të degëve që do të listojnë kur të plotësojnë formularin e preferencave A2, që pritet të miratohet nga MASH më 1 prill.

Fushata e këshillimit do të zgjasë deri në mbyllje të vitit shkollor, pra deri më 22 maj.

Më pas do të fillojë faza e përgatitjeve për provimet e detyruara, që do të jepen në fillim të qershorit, sipas datave të përcaktuara. Dhënia e provimeve me zgjedhje do të jetë për të gjithë maturantët në një ditë, më 10 korrik.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›