E Diel, 1 Nëntor 2026

Lustracioni ne ngerc. Shkaku: enverizmi i pandeshkuar

Te vertetat qe s’jane te verteta, te Apostol Kotanit Është një paradoks i hidhur që metastazat e helmuara të nostalgjisë për regjimin tiranik të Enver Hoxhës, janë ende vepruese édhe në ditët e sotme, édhe në orët e tanishme. Ai regjim ishte, pa dyshim, më mizori në të gjithë Europën Lindore ish-komuniste, i vetmi që në këtë pjesë të rruzullit nuk e bëri destalinizimin. Stalini mbeti i paprekur në piedestalet tona, kur në vendet europiane u shkelmua me neverí në gjysmën e shekullit që shkoi. Shumë nga celebritetet e artit të kësaj bote, por të verbër në politikë, si Zhan-Pol Sartri, Somona dë Bovuari, Romen Rolani, Elsa Triolé, Hanrí Barbysi, Pol Lanzhveni, çifti Kyrí..., madje edhe Heminguei, kishin vdekur dhe nuk arritën të shihnin se në ç’batak kishin rënë, të mashtruar nga pritjet e sajdisura të Stalinit, në kohën kur kolkozet e kolektivizimit sovjetik kishin shkaktuar miliona të vdekur nga uria vetëm në Ukrainë. (Investigatori i famshëm Rikard Kapuçinski, e ka pasqyruar këtë katastrofë mjerimi në librin “Imperium”, me foto të vdekurish nëpër trotuaret e fshatrave sovjetike). Shkrimtari i madh André Zhidi kishte vajtur edhe ai njëherë në BS, por hoqi dorë menjëherë nga pranimi i ftesave të mëpastajme, duke e nuhatur menjëherë karamelen e helmuar sovjetike. Të tjerë, që jetuan kur dolën në sipërfaqe krimet e lemerishme të Stalinit, mbeten thellësisht të zhgënjyer për naivitetin e tyre të trashë. Prej kohësh kritiku i shquar Aymé i kishte quajtur këta njerëz të mëdhenj të kulturës, por politikanë mediokër, “des bêtes” (hajvanër!- në kuptimin pa nuhatje politike). Dhe kishte të drejtë, siç u vërtetua në rastin e festimit të 100-vjetorit të lindjes së Zhan-Pol Sartrit, disa vite më parë, që u quajt një vakësirë: një mungesë e dukshme entuziazmi. Tani, pas një shterje tërësore të apoteozave për diktaturat, fashiste apo komuniste, na dalin Nexhmijet dhe Edvinët, që po orvaten ta mbajnë gjallë nostalgjinë enveriste. Në këtë hulli zvarritet edhe pseudohistoriani Apostol Kotani, me frazeologjitë monotone të dala boje, në një libër që ka dalë në qarkullim këto ditë. Libri ka si titull „Të vërteta të dhimbshme“. Është i falsifikuar tërësisht, që në fjalën „dhimbje“. Se dhimbje nuk mund të ketë një komunist fanatik, si autori i këtij libri! Ky togfjalëshi i fundit m’u përftua në tru, që kur e pashë Apostolin, disa vite më parë, në një intervistë, në të cilën kishte përballë Elsa Zallarin dhe Tanush Mulletin. Elsa është e bija e intelektualit të shquar Mihal Zallari, që drejtoi parlamentin shqiptar në kohën kur ushtria gjermane kaloi, përmes Shqipërisë, për në Greqi. Dhe Shqipëria pësoi pushtimin e dytë, pas Italisë, por me një status të veçantë. Kjo ndodhi, kuptohet, pas kapitullimit të fashizmit, me firmë të Badoljos, në vjeshtën e vitit 1943. Regjenca pranuoi vendosjen e një qeverie, që u quajt kolaboracioniste. Por ndihmoi në ruajtjen e ushtarëve italianë, tanimë armiq të ushtrisë gjermane. Gjermania e Hitlerit e përjetoi kapitullimin italian, të njërës prej aleateve të saj në Luftën II Botërore, me një reagim të ashpër ndaj ushtarëve të Musolinit. Italia, tanimë, mund të quhej si e shkëputur nga rreshtimi në Aksin (Boshtin) Itali-Gjermani-Japoni. Forcat ndërluftuese italiane në vendin tonë pjesërisht iu aneksuan forcave të Br. I, duke formuar batalionin “Antonio Gramshi”; pjesërisht ua dorëzuan armët forcave nacionaliste dhe u strehuan në shqiptarët e fshatrave, që i veshën civilë. Në këtë kohë ndodhi edhe tragjedia e kazermave të Gërhotit (Gjirokastër), ku u vra trimi Hysni Lepenica, me të 34 luftëtarët e tij, më 14 shtator 1943. Komandanti nacionalist, Lepenica, ra pré e një provokimi të forcave rrethuese nacionalçlirimtare, që shkrepën armët në ajër, për të dhënë përshtypjen se nacionalistët nuk vajtën në Gërhot për të marrë në dorëzim armët, sipas marrëveshjes paraprake me gjeneralin italian, por për t’i çarmatosur dhunshëm forcat italiane. Qé një provokim, natyrisht. * * * Sapo ishte prishur në mënyrë të njëanshme Marrëveshja e Mukjes, një muaj e pak më parë. Të dërguarit e Beogradit ende nuk e kishin situatën plotësisht në dorë. Nac.çl.-ët dhe nacionalistët kishin bërë, ndërkaq, gjithë ato luftëra të përbashkëta kundër okupatorit: Në Gjorm (dhjet.’42), në Floq (jan.’43), në Voskopojë (jan.’43), në Mallakastër (shk.’43), në Luar-Ruzhdie (mars ’43), në Mokër, Devoll, Postribë, Leskovik, Elbasan, Pezë (pranverë 1943), në Kurjan (prill’43), në Mogilë (Tepelenë), në Pojan të Korçës, në Pezë (qer.’43), në Qafë-Thanë (korrik)... etj. Ymer Dishnica dhe Mustafa Gjinishi, nuk kanë pasë luajtur asnjë presje nga direktivat për qëndrimin n/çlirimtar, në dokumente që kishin edhe firmën e Enverit. Në përputhje me Kartën e Atlantikut, édhe nacionalçlirimtarët e pranuan opcionin për Shqipërinë Etnike. Për këtë opsion, ishte vënë në dijeni kreu i KQ të PKSH-së (në klandestinitet në atë kohë), paçka se E.H.-a bëri të paditurin, kur M. Popoviçi u tërbua dhe i kishte shkruar Titos se “e tanë Shqipnia asht e okupueme për këtë problem” (Arkivi Qendror i Shqipërisë, f.14, v. 1943, d. 26). Në shtëpinë e R. Jaranit, M. Gjinishi i ishte përgjigjur pyetjes konfidenciale të H. Dostit se “kush ka influencë dhe forca më të mëdha”: -nacionalistët. Kjo e vërtetë e mohuar më vonë, ishte e njohur, në atë kohë. Jo më kot nac.çlirimtari Haki Stërmilli, kishte propozuar për kryetar të mbledhjes së Mukjes, nacionalistin Thoma Orollogai, i pranuar njëzëri nga të dy palët (shënuar në Procesverbalin e mbledhjes, datë 1 gusht 1943). Mukja, pra, kishte emblemën e një konsolidimi të të dy forcave, në luftë të përbashkët kundër okupatorit, por pati edhe një epilog tragjik. Prishjen e marrëveshjes , sa pa u tharë boja, me ndërhyrjen e Miladin Popoviçit dhe me kolaboracionin e kuislingut Enver Hoxha. Kosova ishte thembra e Akilit. U ndoq strategjia e re, e mohimit të luftës së përbashkët, gjer në atë kohë, kundër okupatorit. Nacionalistët u quajtën, befas, kolaboracionistë(!). Jemi në vigjilje të luftës civile, për të përmbysur raportin e forcave. (Luftën civile historiani ordiner, Apostol Kotani e mohon në këtë libër, duke rënë ndesh me historinë e vërtetë, me synimin për të mbuluar, me gjethe fiku, antikombëtarizmin e Enver Hoxhës). * * * Kjo zgjatje më duket se nuk është dalje nga tema. Sepse libri “Të vërteta të dhimbshme” , është një negacion flagrant i të vërtetave. Po japim vetëm 4 argumente: 1.Enver Hoxha u bashkua aty për aty me Miladinin dhe me Dushanin, për prishjen e menjëhershme të vendimeve që u morën bashkërisht në Mukje. Vendin tonë e zotëronin të huajt, okupatorët dhe emisarët. Madje edhe për njëfarë kohe pas Luftës, Jugosllavët bënin ligjin. 2. Me urdhrin e emisarëve të Titos për zhbërjen e Marrëveshjes së Mukjes, Enver Hoxha përfitoi nga rasti për të bërë një spastrim të ri në K.Q., me qëllim që të konsolidohej si numri Një, sipas përvojës së Stalinit (shprehur me shkrim nga N. Spiru). 3.Paskëtaj jo vetëm që do të bëhej vijë denigrimi i Kosovës nga shqiptarët, por do të arrihej gjer në ekstremin që vetëm përmendja e Kosovës do të përbënte shkak denoncimi. Të gjithë kosovarët e ndershëm e atdhetarë, që arratiseshin nga përndjekjet e padurueshme të UDB-së, do të priteshin përkëtej kufirit si spiunë të UDB-së, kundër R.P. të Shqipërisë! (Libri 350-faqesh për vuajtjet e shkencëtarit Namik Luci (1940-1998), është një dëshmi e pakontestueshme dokumentesh sesi shqiptarët e përtej kufirit që e thyen kufirin për të ardhur në Shqipëri. u burgosën, u internuan dhe u shpërndanë si zogjtë e korbit në të gjitha shkretëtirat e vendit tonë dhe iu tha troç që të mos kishin asnjë komunikim me njëri-tjetrin...). 4.Të gjithë kalemxhinjtë e historiografisë së falsifikuar, do shkruanin në një mënyrë të njëtrajtshme për të mohuar kontributin e nacionalistëve kundër okupacionit, sipas direktivës Popoviç-Mugosha (ballistët u quajtën në unison pulaxhinj; do të shpërthente terrori sipas së njëjtës direktivë dhe do të sendërtohej një luftë e pabarabartë kundër ish-bashkëluftëtarëve (në Gjorm, në Floq, në Voskopojë, në Mallakastër, në Luar-Ruzhdie, në Mokër, në Devoll e të tjera, e të tjera...- shih më sipër...), - të gjithë shpërfytyruesit e historisë, pra, - do të na mbushnin mendjen se se tanimë nacionalistët nuk e kishin luftuar okupatorin; madje se s’ka pasur luftë civile, fill pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes. Për më tepër, këtë histori të falsifikuar do të vazhdonin të na e jepnin, në trajtë leksionesh historike, edhe pas nëntëdhjetës, propagandistët e indoktrinuar të shpëlarjes së trurit. Më bajati ndër këta do të ishte A. Kotani dhe më finoku: K. Frashëri. Ky i fundit mbushi faqet e historisë së re (edhe pas nëntëdhjetës), me kolaboracionistë të qenë e të paqenë, duke u mbështetur në një gazetë fashiste të prillit të vitit 1939, që fabrikoi lista “dhuruesish të Kurorës së Skënderbeut”, Viktor Emanuelit III, ku gjendeshin edhe të internuarit në Ventotene, apo të arratisurit me Zogun I! U harruan, natyrisht, kolaboracionistët underground me armiqtë shekullorë të vendit tonë, me në krye antikombëtarin Enver Hoxha! Tanimë dukumentet janë të shumta për të profilizuar atë regjim të diktaturës, që e rrënoi kombin tonë dhe e shndërroi vendin në kufij të klonuar e në mjerim ekonomik talonash. * * * Apostol Kotani, në këtë librin e tij me një propagandë anakronike komuniste, nuk guxon të pohojë nëse është e vërtetë apo e pavërtetë që idhulli i tij, Enver Hoxha, i kishte dhuruar përfaqësuesit të armiqve shekullorë të vendit tonë, mareshalit Josif Broz Tito, skeptrin e Sekretarit të Parë të K.Q. të P.Komuniste shqiptare. Kuislingu nuk kishte arritur gjer këtu. Pra, E.H.-a ishte një kolaboracionist i shkallës sipërore. Po të shmangim eufemizmin, ishte një antikombëtar me damkë. A. Kotani e falçsifikon këtë pikë, siç bën edhe „Zonja e Zezë“, Nexhmije Hoxha. Kjo „Bashkëshorte e Djallit“, - siç ia kanë vënë francezët titullin këtij libri që , tashmë, është bërë një best-seller,- u shmanget temave-tabù, si Djalli nga temiani. A. Kotani shkruan në librin e tij enverist të këtyre ditëve: “E. Hoxha ishte një udhëheqës i madh, një politikan e strateg i madh, një patriot dhe demokrat njëkohësisht” (f. 111). Enver Hoxha, po, ishte një stalinist. Por Stalinin nuk guxojnë ta përmendin as Nexhmija, as ky injorant, që jepte mësime politike në shkollat e inxhinierive dhe të Shkencave të Natyrës, ku nxënësit i kishin rrenat e Apostolit fare të panevojshme, të përthithur siç ishin në formulat shkencore. Rrenat e Apostolit nuk i ndihmonin për asgjë në lëndët e tyre shkencore;dhe studentët detyroheshin t’i dëgjonin nga halli banalitetet që s’u hynin fare në punë për përvetësimin e shkencave! Nëse pyetet Apostoli përse u la në shurdhëri Stalini teksa bëhej kulti i Enverit, ai do të binte menjëherë në kundërthënie, nëse do ta dinte të vërtetën, natyrisht: Do të dilte antishqiptarizmi i Stalinit, që ia kishin zbuluar persona të përgjegjshëm dhe të pakontestueshëm, bashkë me atë fjalën gëlltitje! Dhe, sipas vetisë kalimtare matematike, (a =b ^ b=c => a=b=c) do të dilte edhe Enveri antikomëtar. Para se të vijmë te përshtypjet e një njeriu me kulturë historike sa të një nxënësi të nëntëvjeçares, që na u përftua në atë debat me Elsën dhe me Tanushin (tani na del doktor i Shkencave historike!), le të shohim në një hyrje në faqen bosh (f. 2) para titullit (f. 3), ku ky pseudohistorian na flet për “punën sabotuese, agjenture (agjenturore,- do të thotë) dhe diversioniste të armiqve të brendshëm dhe të jashtëm, për të përmbysur pushtetin popullor”. Na vetëdeklarohet edhe se do të na bëjë të njohur “me ngjarjet e vitit 1997. me shkaqet e vërteta pse ndodhën ato, dhe jo sikurse u trumbetua dhe trumbetohet nga autorët e tyre me “Rrebelim komunist...” . (Le të mësojë, së paku, sesi shkruhet fjala rebelim!). Sesa antikombëtar ishte ky rebelim antidemokratik pushtetrrëmbyes, këtë na e bën të qartë vetë A. Kotani, pa dashjen e tij – sigurisht, - me atë foto, në faqen 135 të këtij libri anakronik, ku dallohen qartësisht të tre gishtat lart, me simbolikë pro-serbe, të rebeluesve! Apo do të na e justifikojë edhe ai, me frazeologji idioteske: në emër të atit të birit dhe të shpirtit të shenjtë! Sa për ’97-n, pasqyrimin e saj të kobshëm shqiptarët e kanë të pasqyruar, si në pëllëmbë të dorës, në të tre librat e pakontestueshëm të G. Ziles: “Unë e pashë kush e dogji Vlorën” (2000); “Vrasës dhe Shpëtimtarë” (2001) dhe “Skaner 1997”, 600 e kusur faqe, botuar para pak kohësh (2009). Pasi na bën apologjinë e “fitorjeve”, duke përsëritur gjer në monotoni propagandën e neveritshme të kohës, na e “zbukuron” librin e tij me disa thënie e karikatura të Renò dë Zhuvnelit, një stalinist i përngjashëm me Fosko Dinuçin, që e hapën gojën kundër Titos, sikundër edhe “Enveri inë”, vetëm pasi mareshali u përjashtua nga Inform-Byroja. Apostoli flet më tej për “diversantët”, në materialet e ekspozitave lavdiplote ku nxënësit çoheshin me orar kalendarik për të parë dokumentet dhe fotot, por edhe pohimet gjyqësore të të pandehurve, që, nën torturë, shkruanin – të droguar – të gjitha fantazitë parafabrikate të Sigurimit. Për t’u dukur si erudit, Apostoli përmend edhe Kim Filbin (të cilit nuk ia di mirë as emrin, sepse njëherë e shënon me Tim Filbi dhe, në një vend tjetër, me Kim Fili!). E mbush librin edhe me fotot që të gjithë i kanë parë në këtë ekspozitë. Flet me krenari naivësh për radiolojat dhe bën sikur nuk e di (apo s’di gjë me të vërtetë), që ato u shndërruan në farsa, për shkak të të infiltruarve të spiunëve internacionalistë të Kembrixhit dhe të Oksfordit, të rekrutuar nga Litvinovi , në sajë të të cilëve OKB-ja sovjetike i njoftonte Sigurimit tonë orën dhe vendin e saktë se ku do të hidheshin me parashutë desantët. Mesa duket nuk sheh as emisionin “Histori me Zhurmues”, kur flet për “sabotimet” në Kënetën e Maliqit për të përligjur dështimet e për të vrarë shkencëtarë si Kujtim Beqiri, madje edhe gra, që ishin krejtësisht të pafajshëm për sa akuzoheshin. Apostol komunisti do të ndjehesh ngusht përpara kësaj pyetjeje: “A di ai, së paku një rast të vetëm, kur gjyqet komuniste të mos përdornin torturëa të përbindshme ndaj të të pandehurve, që të nxirrnin nga goja e tyre “të vërteta” si ato të titullit të këtij libri të neveritshëm? Truri i ngurtësuar i Apostol Kotanit nuk mund të pranojë të vërtetat e tjera: Se gjermanët e quajtën veten kalimtarë në Shqipëri dhe e konsideuan Regjencën si një qeverisje me status të veçantë. Ata bënë edhe një pakt me Regjencën: Nuk do të zbatonin ligjin e tyre të luftës që, për një gjerman të vrarë, të vinin para togave të ekzekutimit, dhjetë shqiptarë. (Në Marzaboto të Italisë shifra arriti jo 1:10, por shumë e shumë më tepër, në rritje të dhjetës në emërues, kundrejt njëshit.). Së dyti, gjermanët nuk vunë emblema politizuese në flamurin tonë kombëtar, siç bëri E. Hoxha me flamurin tonë, me yllin e kuq (si të jugosllavit) të bashkim-vellazërimit internacionalist që, në të vërtetë, ishte zbatimi i gëlltitjes nga ana jugosllave e Shqipërisë, para se të denoncohej RSF jugosllave nga Inform-Byroja. Pra, Regjenca ishte shumë më pak kolaboracioniste, sa Shqipëria nën vasalitet të nënrrogozshëm shumë e shumë më tepër kolaboracionist ndaj emisarëve të shokut Tito! Meqë po flasim për Titon, le të shohim çfarë shkruan ky shformues i të vërtetave në librin e tij për “të vërtetat”: “Tito ishte një personalitet i madh. Sa kohë që zbatoj (zbatoi) (këto ngatërrime të vetës së tretë në njëjës të foljeve, me vetën e parë, gjenden me dhjetëra në këtë libër antipatik) parimet e mirëkuptimit, respektimit të të drejtave të popullsisë shqiptare në Jugosllavi, (Enveri) pati marrëdhënie të mira (me Titon), por më pas, kur regjimi i Titos dhe i Rankoviçit filluan (filloi – është fjala për regjimin – nr. njëjës – por autori s’merr vesh nga sintaksa) keqtrajtimin e popullsisë shqiptare dhe u përpoqën (u përpoq) të ndërhynin (të ndërhynte) në punët tona të brendshme dhe t’a (ta) shndërronin (shndërronte) Shqipërinë në një republikë të shtatë jugosllave, E.H. mbajti qëndrim të prerë, i prishi marrëdhëniet me të” (f. 118). Foljet në shumës do të kishin vend, nëse redaktori do të kishte parasysh , për më shkurt, që atë kur regjimi i Titos dhe i Rankoviçit, ta shndërronte në kur Tito dhe Rankoviçi. Veçse, edhe në këtë rast, do të duhej që fundin e përiudhës me të ta shndërronte në me ta! Pa dashur hymë edhe në formë, në stil, kur edhe ne duhet të kemi parasysh se nuk mund të bëhet bukë gruri me hime, në vend të miellit! Le të shohim përmbajtjen, pra: na dalka se Titoja dhe Rankoviçi e keqtrajtuan popullin shqiptar, vetëm kur doli problemi i Republikës së shtatë! Në kohën paraardhëse, për shembull më 17 mars 1945, kur mbi 5000 kosovarë u shfarosën në Tivar nga forcat serbe të atij që quhet “personalitet i madh”, zbatohej respektimi i të drejtave të popullit shqiptar në Jugosllavi! Sikur të mos kuptonte ky përçartës se po shkel në dërrasë të kalbët, e përforcon edhe më tepër ligësinë e vet antishqiptare, me frazën e mëtejme, po në f. 118: “Enver Hoxha e vlerësonte Titon si një udhëheqës që i dha popullit të Kosovës njëfarë autonomie dhe që, në sajë të tij, mbahehej në këmbë shteti shumëkombësh i Jugosllavisë”. Përveç disa korrigjimeve në shenjat e pikësimit dhe gabimit drejtshkrimor se një farë duhet ngjitur, kuptimi i vlerësimit, sipas autorit, të Titos nga Enveri, na ngre nervat: Enveri u dashka ta vlerësonte Titon për dy arsye: arsyeja e dytë është se, në sajë të Titos, mbahej në këmbë Jugosllavia! Cila Jugosllavi? Ajo që mbante Kosovën në skllavëri! Të vlerësosh udhëheqësin e një shteti se paska meritën që, në sajë të atij udhëheqësi , mbahet në këmbë një shtet i cili ka skllavëruar bashkëvëllezërit e tu!- (duke pasur parasysh se vlerësuesi është Enver Hoxha), kjo do ta acaronte Nexhmijen. Sepse, mbase, do të kuptonte se bashkëshortit të saj, në vend t’i vihen vetullat i nxirren sytë! Edhe ajo vetë ka fraza të lajthitura kur i përvishet me fraza alogjike Suzana Gërvallës, gruas demokrate të heroit Jusuf Gërvalla, se s’mund të ishte arkiviste në arkivin e veçantë pranë KQ të PPSH-së, se nuk ishte anëtare partie! (Lexo: se nuk ishte e besuar!). Por kur Suzana e zuri mat bashkëshortin e Nexhmijes, - në një mendje me të shoqen,- se ajo ishte gati të nënshkruante kërkesën për t’u pranuar në PPSH, Enveri i përdridhej se .... (domethënë s’ishte dakord përsëri!). A nuk kishte të drejtë të kuptonte Suzana se ishte e pabesuar? Kush ishte e fyer në këtë rast? Po ashtu edhe Apostoli nuk e kupton sesi frazat e tij janë të paqarta dhe në ç’kuptime të çojnë ato! Por kur Enveri e vlerësoka, sipas tij, Titon që i dha Kosovës njëfarë autonomie(!), neve na lind mendimi se Titoja mund t’i jepte Kosovës statusin e Republikës! – siç ia dha Malit të Zi, me 600.000 banorë! Kosova do të fitonte, kështu, menjëherë pavarësinë e saj, në proceset e reja! Për këtë duhej vlerësuar Tito nga Enveri, për autonominë e gjymtuar?! * * * Tani le të vijmë te debati i A.Kotanit me Elsa Zallarin dhe me Tanush Frashërin. Këtë e kishim si pikënisje të këtij shkrimi. E vërteta historike është se Regjenca kishte ndaj gjermanëve një pavarësi më të madhe sesa Enveri ndaj emisarëve të jugosllavëve. Gjermanët e quajtën veten kalimtarë në Shqipëri. Për këtë s’ka nevojë të merret mendimi i Apostolit, përçartjet e të cilit nga pikëpamja historike janë të dukshme, siç e pamë. Kur gjermanët kishin prurë të dhëna konkrete për të gjithë hebrenjtë në vendin tonë, me emër-mbiemër e me adresë të saktë, Regjenca nuk pranoi t’u dorëzonte çifutët, sipas marrëveshjes së pavarësisë qeverisëse. Jo vetëm kaq, por Regjenca i pajisi të gjithë hebrenjtë me pasaporta shqiptare. Hebrenjtë, nga ana e tyre, morën masat që të ndërronin vendbanimet. Natyrisht kishin edhe mbrojtjen e popullit. Tani, hajt t’i gjenin gjermanët! Kështu debati televiziv u ndez! Elsa dhe Tanushi e vunë para kësaj të vërtete historianin sakat në logjikën historike, Apostol Kotanin. Por ky ngulmonte si mushka, se hebrenjtë i shpëtoi populli, jo Regjenca! Po na shiste populizëm, sipas mendësisë komuniste: “Ç’do populli bën Partia, ç’thotë Partia bën populli!”. Në të vërtetë: Populli do pluralizëm, partia bën diktaturë! Partia thotë : të shkatërrojmë institucionet fetare. Populli s’është dakord, por e bën nën hanxharin e dhunës. Me këtë mendësi kërkoi të shtrembëronte të vërtetën historike ky pseudohistorian që ra nën logjikën e fortë të Elsës dhe të Tanushit. Tani, po i përvishemi edhe ne: - Sikur Regjenca të ishte një qeverisje si ajo e Enver Hoxhës, me hanxharin ngritur kundër kujtdo që të strehonte një çifut të vetëm, a do të guxonte kush t’i strehonte, - pa i hyrë gjembi në këmbë? A e di Apostoli ç’pësuan ata që u dhanë, qoftë edhe një drekë të vetme, “diversantëve”? A e di komunisti Apostol Kotani, se kanë ngrënë plumbin ballit, qoftë edhe për një copë bukë që u kanë dhënë strehuesve të të arratisurve? Kotani vetë nuk do të guxonte t’i jepte edhe një copë bukë të vëllait të tij (palé ta mbante një natë, sa për të fjetur), po të supozojmë se i vëllai fshihej, meqë kërkohej nga nga Sigurimi për “fajin” se i ishte arratisur i biri? (Një supozim, ky, sa për të nxjerrë një përfundim). Pra, hebrenjtë në vendin tonë i shpëtoi Regjenca, në bashkëpunim me popullin! Apostoli e nxori fizionominë e vet komuniste në atë debat, në të cilin kërkonte të bënte të besueshëm mendimin se regjimi i zemrës së tij nuk mund të krahasohej me Regjencën. Vërtet ishte i pakrahasueshëm, por në atë kuptimin invers: se ishte më human se regjimi i zemrës së tij! E tani, në pjesën e prapme të kopertinës, shohim se ky na gjezdiska në Telaviv, si anëtar i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Izrael! Komunistët ofrohen për çdo post. Ai meriton një letër përcjellëse në organet kompetente izraelite se kanë të vetofruar në titullar të shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Izrael, një njeri të padenjë. Në faqen 117 flet për begatinë e kooperativave. Një ish-kooperativist, kur e dëgjoi këtë thënie të tij, tha. –Ah, të kisha në dorë, ta fusja në një avion dhe ta hidhja me parashutë te Fidel Kastrua! Ta shihte të s’ëmës në valle!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›