Prape Audrey?
Monopolizimi i vëmendjes nga fushata zgjedhore nuk është një arsye për mos t’u marrë me disa filma të vjetër të importuar pa licencë nga oksidenti.
Sot do të flasim për një film që po na mundon anekset e trurit të vogël pa shkak. Sepse kohët fundit në Shqipëri po ri-shfaqen filma që janë sy-shikuar për herë të parë në vitin 1996-të, dhe që sot ka një remake me prodhim krejt të ri vendas. Filmi që po recensojmë sot është “My Fair Lady”, me aktoren e mrekullueshme Audrey H. Një aktore fantastike, veçse perfekte. Dhe për të qenë perfekt i mungonte një defekt.
Defekt: të kuptohemi, nuk jemi apriori kundër kinematografisë botërore, sepse në njëfarë mënyre i ka paraprirë në reprezentim imazhor ndryshimeve strukturale të shoqërive në botë, por si çdo parashikim ka një defekt brenda saj. Dhe ky defekt shikohet sa herë ndjesia larg realitetit bëhet akute. Natyrisht ka filma plot skarco që janë prodhuar vetëm e vetëm për kategorinë e fitime materiale. Edhe filmi për të cilin folëm lart “My fair Lady” është një nga më përfaqësuesit e kësaj kategorie. Kjo shfaqje duhet recensuar dhe amenduar.
Fillimi i filmit: në momentet e para të filmit nuhatet se interpretimi i aktores Audrey H. është në një a-sinkroni të plotë me regjisorin e ri të mëkateve shqiptare. Është lehtësisht e kontestueshme nga kritika një ndërveprim i tillë i saj me regjisorin sepse duhet të jetë të paktën super-partes. Përpos se aktorët siç dëftehen kanë një personalitet polimorfik, të cilët shumëfishojnë karakterin simbas lojës dhe rolit të angazhuar.
Gjatë filmit duke reflektuar se: afërmendsh pastaj zgjedhja jonë për të shikuar një film të tillë na bëhet e limituar nga forma që ka sot kinemaja shqiptare, sepse jemi në një diktaturë televizive që kanë inventarin e tyre edhe një kompani ushtarakisht të ekuipazhuar me lloj lloj arme baltosje. Për të mos thënë që kanë edhe Top për këtë punë: kuptohet top obus. Ose shkurt e përkufizuar si diktatura babëzitëse e medieve alla shqip-tare.
Uria për kokoshka: na sjell një etje për intervista dhe xhirime të Audrey-t në çdo moment të punës së saj vetëm për t’i nxjerrë një llaf bombastik. Si përvijim i një urie universale për të krijuar alarme çangash për zgjedhjet në Shqipëri, në oksident. Këto alarme nuk të lejojnë të shikosh realitetin siç është por siç duan ata që t’i ta shikosh. Kush më mirë se një aktore e mrekullueshme si Audrey mund të profilizojë këtë alarm? Fantazia e këtyre alarmeve nuk krijon kështjella prej rëre. Por transformon barake bashkiake në kështjella prej rëre.
Fund i pjesës së parë: po shihet mundësia që Audrey H. të bëjë një remake të filmit që e hodhi në arenën ndërkombëtare, ku në 1996-të fitoi oskarin për interpretimin e saj në “Pushime Romane”, por që kësaj here ustai i saj ka vendosur për qëllime fitimi t’i ndryshojë emërzimin në “Pushime Tiranë” ose me pak fantazi “Holiday’s in Albania”. Dhe pas kësaj vëzhgimi i ardhshëm do të bjerë në filmin “Mëngjes në Tifani”, i cili më pas do të marrë titullin “mëngjes në qendrën zgjedhore Tufinë”.
Fillim i pjesës së dytë: fati i këtij filmi është bërë një çështje kontestueshme, një debat i stërzgjatur mbi mundësinë e pajisjes me syze dielli të forta për spektatorët, pasi shfaqja e dokumentarit nga Kopenhagën është tepër dritëlëshues mbi misionin e ambasadores Audrey H.
Fund: aktorja me famë botërore Audrey H. është edhe ambasadore e agjencisë së UNICEF-it të OKB-së për të mbrojtur fëmijët që kanë nevojë për kënde lodrash. Sepse tuberkulozi i çimentos që ka hyrë në politikën e Tiranës është në përhapje e sipër.
Kësaj i thonë me një fjalë se mirëse të vijë kaosi, sepse rendi nuk funksionoi.