Lutaj për vizitën e Metës tek DEA amerikane: Një drogmen u takua me antidrogën
Nuk ka kaluar pa komente vizita e Metës në zyrat e antidrogës amerikane. Gjatë qëndrimit të tij në SHBA, Ilir Meta u prit në Agjencinë Federale kundër Trafikut të Drogës (DEA), nga kreu i këtij institucioni, Administratorja Michele M. Leonhart. Kaq është dashur që ky takim të hyjë në lojën e komenteve mediatike dhe politike në Shqipëri, pasi Ilir Meta, përpos kryetar i LSI nuk mban asnjë post zyrtar, Ministër i Brendshëm apo diçka tjetër që të ketë lidhje me luftën kundër drogës në Shqipëri. Madje as ministrat e tij nuk kanë asnjë lidhje me dikasteret e luftës kundër drogës, pasi njëri mbulon diplomacinë, tjetri shëndetësinë dhe i treti mbulon ekonominë.
Deputeti socialist, Pirro Lutaj, e cilëson këtë takim të kreut të LSI, Ilir Meta si një përpjekje për të mbuluar dhe nxjerrë jashtë loje akuzat e bëra ndaj tij.
“Nuk është çështje e Partisë Socialiste kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ajo është një ndërmarrje private që ka kryetar Ilir Metën, kryetaren e gruas Monika Metën, kryetarin e të rinjve një tjetër Meta. Për sa i përket qëllimit të takimit të tij me shefen e DEA-s në SHBA, mund të them se një drogmen shqiptar duhet të takohet më një të antidrogës në Amerikë për të treguar se nuk ka lidhje me drogën. Por kjo nuk është e vërtetë”, ka qenë deklarata e anëtarit të Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, Pirro Lutaj për gazetën “Shqiptarja.com”.