E Diel, 1 Nëntor 2026

Monstrën mes nesh e zbulojnë qytetarët, jo policia

Share

Sot Tirana është gdhirë më e qetë. Arrestimi i një vrasësi dhe grabitësi serial ka qetësuar njerëzit. Natyrisht nuk e ka zhdukur frikën në një qytet që rrallë ka përjetuar krime të tilla. Jo të gjitha vrasjet dhe vjedhjet i ka kryer 44 vjeçari Gusho.

Por fakti që Gusho paska kryer plot 16 grabitje, 2 vrasje dhe 3 plagosje të rënda nën hundën e qindra e mijëra policëve të bën të mendosh për aftësinë e policisë tonë. Drejtori i Policisë së Tiranës, Bernard Çaushaj u shfaq i qeshur sot përpara mediave, por pikëpyetjet tona për policinë nuk i heq aspak, sidomos kur pranoi se ishin qytetarët që e kanë ndihmuar të identifikohej autori. Edhe arrestimi i tij dje ishte një variant tipik shqiptar aksionesh. Me qindra qytetarë e mes tyre fëmijë, dhjetëra kamera po prisnin të dilte një monstër nga shtëpia, si në një shfaqje, edhe pse shumëkush mund të thotë çfarë garancish kishte policia se ky njeri me precedentë të tillë nuk do qëllonte.

Brenda katër vitesh Gusho ka bërë kërdinë me krime dhe policia as nuk i është afruar askund atij. I ka depozituar paratë në bankë, i ka harxhuar në kazino, e prapë asnjë dijeni. Kur kreu vrasjen e parafundit, policia arrestoi edhe një kosovar dhe u detyrua ta lironte sepse kishte gabuar. Kurse sot Çaushaj tha se policia nuk gabon kurrë. Ja që paska gabuar plot 16 herë në një qytet ku qytetarët e dinë se ku fle hajduti, vetëm policia jo.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›