MË MIRË TË MBURRESH ME NATO-N SESA ME GËRDECIN
Nga Bedri Çoku
Fitorja e së djathtës e garantuar me anë të arritjeve të saj të dukshme e të prekshme, jo vetëm moralisht, por edhe konkretisht, sidomos me ndërtimet e shumta e të dobishme në infrastrukturën rrugore me vlera mbarëkombëtare e ndërkombëtare... sikur kjo të ishte qoftë edhe marrëveshje e vetme e qeverisë së koalicionit të djathtë me popullin shqiptar, do të mjaftonte, sigurisht, të thuhej: “Ky ekip qeveritar e kaloi fakultetin e parë me nota të lavdërueshme dhe t’i jepet e drejta për të filluar fakultetin e dytë!”
Nëse opozita e majtë do të ishte konstruktive e me ndjenjë të pastër kombëtare e demokratike, pa dyshim që do ta kishte pranuar ndershmërisht faktin se në këto 70-80 vjetët e fundit të shtetit shqiptar, kjo qeveri ka qenë më e suksesshmja ndër të gjitha qeveritë e derisotshme. Mirëpo, mjerisht nuk ka ndodhur dhe s’ka si të ndodhte kështu. Sepse, për katër vjetët e qeverisjes demokratike, Shqipëria është përballur me një propagandë opozitare të varfër e mjerane të së majtës, e cila e nisi qysh me sulmin antidemokratik e antishqiptar kundra kryetares së parë të Parlamentit, në të gjitha kohërat e parlamentarizmit shqiptar... E pasoi me bilbilat në sallën e Parlamentit e deri gati në bojkotimin e zgjedhjeve lokale... Sulmoi vazhdimisht e me konsekuencë të gjitha masat shtrënguese të qeverisë për të goditur bandat kriminale dhe korrupsionin e trashëguar nga qeveria e tyre tetëvjeçare, duke ia mohuar e deformuar hapur çdo rezultat kundrejt kësaj lufte... E verbuar nga sukseset e dukshme në eliminimin e bandave e trafiqeve klandestine, opozita doli hapur kundra çdo suksesi të popullit shqiptar që zbatonte programin e qeverisë demokratike, edhe pse ato evidentoheshin e monitoroheshin nga ndërkombëtarët, të cilët i vlerësonin si arritje të kënaqshme, madje e inkurajonin qeverinë e demokratëve për të vazhduar në këtë rrugë. Ardhja e Presidentit amerikan në Shqipëri qe rasti më i pastër e flagrant që e nxori bythëzbuluar opozitën e majtë kundra Amerikës dhe përgjithësisht bllokut perëndimor, për faktin se si e priti dhe e përcolli ajo këtë vizitë historike të Presidentit të shtetit më të fuqishëm të botës në vendin tonë. Jo vetëm që në asnjë nga mediat e saj të shkruara e vizive nuk pati qoftë edhe një logo për mirëseardhjen e tij, por për takimet e bujshme miqësore me Presidentin dhe Kryeministrin e Shqipërisë dhe mbështetjen e fuqishme që ai u dha për këto garanci, opozita e majtë shqiptare e zbrazi marazin e saj me shpifjen më të turpshme të shekullit, duke sajuar “Vjedhjen e orës së Presidentit amerikan nga populli shqiptar i Fushë-Krujës”, që tregonte me këtë rast armiqësinë e trashëguar të të parëve të tyre të shpallur botërisht kundra Amerikës dhe Perëndimit, gjatë ndërtimit të “socializmit ngadhënjimtar”, veçanërisht, në atë mënyrë sa s’ka as det e as oqean ta shpëlajë apo ta thëthijë nën vete, aq e turpshme dhe antikombëtare është. Por jo vetëm kaq. Në këto ditë fushate për zgjedhjet politike parlamentare, opozita e majtë peshën me të madhe të forcës së vet goditëse e mbështet tek ngjarjet ku shqiptarët kanë vdekur aksidentalisht apo nga fatkeqësitë njerëzore, si edhe tek të metat e ministrave të qeverisë demokratike, që janë burgosur apo larguar nga detyrat. Propagandë aspak bindëse dhe foshnjarake në konceptin politik të fjalës. Nuk është bindëse, sepse Gërdeci, sado që të ketë ndodhur për faj të qeverisjes së keqe, gjithsesi ai hyri në memorialin e fatkeqësisë kombëtare. Qeveria, përveç ndëshkimit moral që mori, pret (nëse do të ketë) edhe ndëshkimin juridik që është në duart e drejtësisë shqiptare, me gjasa të jepet pas zgjedhjeve elektorale. Ndërsa ministrat e ndëshkuar të qeverisë, politikisht tregon forcën morale pozitive të luftës kundra abuzimeve me popullin dhe besimin e tij... Kapital politik në favorin e së majtës për këtë garë elektorale nuk duhet të jetë “ngjarja e Gërdecit” si krim politik i qeverisjes, sepse populli shqiptar është i mbrujtur me krimet politike dhe e ka të qartë natyrën e pastër të tyre, madje me përmasa të tilla të shtrira në numër e në kohë, saqë ajo e “Gërdecit” është një grimcë para atyre mijëra djemve, burrave e grave, nga më të mirët e Shqipërisë, që u pushkatuan si berrat me plumbat e sllavo-komunistëve, vetëm sepse ishin patriotë dhe e donin lirinë, e donin Shqipërinë demokratike. Është kjo e kaluar e zezë që e majta mbartë mbi vete, pa mundur të shkëputet nga hija e krimeve të së kaluarës dhe mbërthehet fort pikërisht tek ato ngjarje që i sajon dhe i shkakton vetë, qëllimisht, për të akuzuar kundërshtarët politikë e për të mbuluar të kaluarën e saj të zezë. Siç bënin, dikur të parët e tyre, komunistët, që shpallnin “armiq të popullit” të gjithë intelektualët dhe shqiptarët që e donin Shqipërinë ndryshe... sepse nuk kanë përvojë tjetër në origjinën e krijimit të tyre si forcë politike, veç marrjes së pushtetit me mashtrime e dhunë. Natyra dhe terrori i vdekjes ka qenë lajtmotivi i sundimtarëve komunistë. Po e njëjta gjë po ndodh edhe me bijtë e nipërit e tyre, të cilët këtë herë kanë dalë hapur për të rimarrë pushtetin, si një domosdoshmëri absolute për mbijetesë, duke mos e pasur për turp fare pse janë pinjojtë e kriminelëve të djeshëm, por madje, ndihen krenarë që vijnë nga kjo origjinë, ndaj edhe po ia kërkojnë votën popullit, me domosdo, sepse, sipas tyre, me Gjinushin, Ruçin & CO, në krye, ata do t’ia kthejnë edhe njëherë lavdinë paraardhësve komunistë, të parëve të tyre, të cilën “anëtari i Partisë së Punës së Shqipërisë”, Sali Berisha me të përndjekurit e mashtruar prej tij, e ka nëpërkëmbur e do ta nëpërkëmbë më shumë, nëse pushteti mbetet përsëri në duart e tij... Është ky tmerri që i ka mobilizuar rreth “gjeniut” të shpikur të gjithë ata që ndihen të rrezikuar nga ligji i lustracionit dhe vendosja reale e shtetit ligjor, qofshin nga ata që kanë pasur e kanë lidhje drejtpërdrejtë me të kaluarën kriminale të regjimit komunist, qofshin nga ata që janë pasuruar në mënyrë të padrejtë e antiligjore. Mirëpo, të mbërthehesh pas “Gërdecit” e të mburresh me këtë fatkeqësi njerëzore, duke e konsideruar si një armë të fortë kundra kundërshtarëve politikë, është mendjelehtësi politike dhe, njëkohësisht, ligësi demoniake. Është mendjelehtësi politike, sepse kjo ngjarje e trishtuar nuk tregon program politik për të ardhmen dhe nuk është gjithçka që ka bërë një forcë politike në pushtet. Do të kishte qenë vërtet një argument politik nëse qeveria aktuale, që i përket së djathtës, gjatë kohës që ndodhi fatkeqësia, nuk do të ishte angazhuar për t’u vajtur në ndihmë fatkeqëve dhe nuk do të bënte asgjë për riparimin e dëmeve materiale. Ndërsa realisht ndodhi e kundërta. Qeveria i kreu më së miri detyrimet e veta në rastin e kësaj tragjedie. Iu përgjigj me dinjitet edhe sipas traditës shqiptare, kur ndodhin fatkeqësi të tilla me përmasa kombëtare. E kundërta po, do të ishte argument i fortë për opozitën e pinjojve që lakmojnë pushtetin... Ndaj them se këtë herë populli shqiptar ka plotësisht të drejtë të mburret fort me anëtarësimin e plotë në NATO sesa me fatkeqësinë e dhimbshme të Gërdecit.