E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyzimi i karakterit nën trysninë e politikës

Nga Flamur BËRDËLLIMA
Ndjek me vëmendje edhe emisionin Koha për tu zgjuar, u vë veshin edhe opinioneve të të ashtuquajturve Militantë fanatikë, ose vete, (se e kam detyrim), edhe në vdekjet e njerëzve. Përfundimi është i dhimbshëm: Trysnia e politikës ka prishur shumë raporte brenda nesh. Kjo kohe e konfirmoi  edhe njëherë këtë gjë. Për një kategori është sfumuar pasioni dashuror, ndjeshmëria e tyre, dikur e papërmbajtur, prekshmëria e tyre, e dhimbshme, gati femërore. Duket sikur njerëzit po mundohen në mënyrë të vazhdueshme nga dy rrjedha që luftojnë brenda tyre: Jetës si dhuratë e Zotit, dhe politikës që po u a bën këtë jetë vrer. Do tju lutesha të bënit një sondazh personal. Shikoni njerëzit për rreth: të gjatë, të shkurtër, të zinj, të bardhë, femra, meshkuj. Shikojini në çdo orë të ditës. A lexoni vallë gëzim në sytë e tyre? Atë gëzim që të jep dhe duhet të japë jeta? Apo në të kundërtën, lexoni stres dhe vetëm stres? (Këtu nuk kam parasysh buzëqeshjen e prostitutave të moteleve dhe pub-eve, që të tjetërsuara nën efektin e drogës, qeshin në mënyre histerike. Ajo qeshje nuk është gëzim, po mjerim). Kam parasysh njerëz militantë  të PD-së, dikur normale në marrëdhëniet njerëzore, sot të shohin me  një urrejtje të ftohtë, të shurdhët, cinike. Po përse more vëlla? Çfarë tu vra brenda vetes se humbi Partia jote (ose imja)? Nuk do të kemi më po ata fëmijë që kemi? Nuk do të duam më atë skuadër futbolli që kemi dashur? Nuk do të vemi më tek i njëjti klub, ku kemi vajtur? Nga ana tjetër: Vajta një ditë, me Benin tek i ashtu quajturi Klub i PS-së. Qe plot e përplot. -Eh, tani vijnë,- më thotë Andis Harasani, duke nënkuptuar që pula dhe zogjtë e kishin bërë hallvën. Por unë mendoj, se ka edhe një ndjenjë eksitimi dhe revanshi, thjeshte dhe vetëm thjesht patologjik, e pra jo doemos për tu bërë drejtor apo ministër. Në të dy rastet, edhe tek i humburi, edhe tek i fituari, ka diçka që na është vrarë brenda vetes, nën peshën e urrejtjes dhe përbuzjes reciproke, në lidhje me anëtarësinë e ndryshme të Partisë. Këto janë pordhë me rigon, se asnjeri nuk ka bindje të vërteta Partie, sot. Kanë vdekur ata burra që vdisnin për idealin e partisë. Gjithsesi deformimet janë të rënda në karakterin tënd, timin, të atij tjetrit. Tjetër gjë është se ky deformim paraqitet herë mosbesues, herë melankolik, herë si një makinë e saktë Po, a do ta gjejë përsëri botën e tij normale ky njeri, (që nuk është një e dy, po qindra mijë), sikundër një i vdekur klinik, del nga koma? Ani se në fillim do të prekë dheun me ngurrim, me këmbën që gati e ka humbur  aftësinë  të ecë. Gati me zor do të rinjohë jetën, në përmasat e saj natyrore, dhe jo politike. Do Zoti, që kjo të ndodhë. Lutem vërtet për këtë. Më bën përshtypje, pse njerëzit flasin mirë për Bamir Topin. Sepse veç të tjerash  gjejnë një model. Tek Bamiri ka një ndjeshmëri, të pastër, gati unike. Por edhe arsyeja e tij rri gjithnjë zgjuar, ndërkohë dhe e shoqëron jo vetëm në intervistat me gazetarët,  ku përbën një zë të fortë individual, dhe nuk është numëror topi. Pra ka një përputhje, një sintoni mes mendjes dhe shpirtit. Gjë kjo kaq e kërkuar dhe kaq e munguar. Gjë kjo kaq e kërkuar dhe kaq e munguar, kohë. Frika ime është që trysnia e politikës, ( e prodhuar, vetëm nga 300-400 vetë). Të mos të na i bëjë absurdin mënyrë të jetuari. Politika në shërbim të jetës dhe të fisnikërimit te karakterit, dhe jo anasjelltas. Njeriu i thjeshte nuk është plotësisht fajtor  për këtë deformim që i solli trysnia e politikës, por as edhe plotësisht pa faj, deri sa vazhdon ta durojë atë. Ky dyzim i karakterit, nuk mund te mbahet brenda nesh si fanella e leshit, qëmoti, që e mbanim për gjithë jetën deri sa të na shkruhej epitafi. Mos o Zot, po ndodhi kështu! Nëse politika do të afrojë këtë dyzim dhe deformim të njeriut, kjo do të na çojë, jo ne Evropë, por në HIÇIDENTITET.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›