NJË MESAZH POLITIK KONTRAVERS
Nga Fadil LUSHI
Të nderuar lexonjës!
Ismail Qemal Bej Vlora, i pari Kryeministër i shqiptarëve, dikur pati thënë se në shekullin XXI do të dominojnë ato parti politike të cilat do të “zotërojnë burime të shumta ekonomike”, respektivisht që do të kenë vizione ekonomike-financiare. Është një mendim filozofik që sot e gjithë ditën e perëndisë nuk arrin të gjejë shprehje në përditshmërinë politike të Gadishullit Ilirik, sepse, të gjitha partitë politike, qofshin ato shqiptare apo sllave, në platformat e tyre do të kenë në shënjestër elementin shovinist, irredentist, atë nacionalist, të fesë si dhe elementin e politikëbërjes metafizike. Thjesht do të jenë parti politike që do të karakterizohen me fuqinë e urrejtjes dhe me mungesën e fuqisë së intelektit, arsyes, parimit, largpamësisë dhe çiltërisë.
Njohësit e mirë të teorisë dhe praktikës së demokracisë ballkanase do të thonë se shteti dhe pushteti nuk mund të udhëhiqen me emocione, por vetëm me ligje të qëndrueshme, të mirëfillta dhe emancipuese, ligje këto që do të llafosin barabarësinë kushtetuese të të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë nacionale, fetare etj.
Ndërtimi i objekteve sakrale në hapësirat e Gadishullit Ilirik është bërë modë. Kjo hapësirë nuk ka aq nevojë për të tilla, sa ka nevojë për të lënë nishane për gjeneratat që do të vijnë në vijim, që ata prejardhjen e identitetit nacional dhe fetar t’i identifikojnë me ato. Dhe një kishë e tillë planifikohet të ndërtohet në sheshin e një kryeqyteti sa “biblik” dhe po aq të inatosur... aty pranë themeleve të xhamisë që ishte rrënuar në shekullin e kaluar. Ndërtimi i këtij objekti sakral është një mesazh kontravers i radhës drejtuar shqiptarëve, siç të tilla emërtime të autostradave, aeroportit me emra antikë, të ishin mesazhe kontraverse drejtuar shtetit fqinj, respektivisht Greqisë. Gjithsesi, këto ndërtime duhet të jenë produkt i mendjeve të shpikësve të politikës djallëzore si dhe e një urrejtjeje të trashëguar të partisë politike maqedonase, e cila do të shquhet për përgjegjësi miope, por që ka kohë që sundon të drejtën e akaparimit dhe të drejtën e mbizotërimit të çdo institucioni përreth, qoftë të Kuvendit, Presidencës, organit qendror më të lartë të administratës shtetërore, Gjykatës Kushtetuese, legjislacionit, Bankës Popullore e tjerë. Të gjitha këto ndërtime dhe huazime emrash do të konceptohen, trajtohen si vlera biblike dhe kombëtare, ndërkaq kërkesat e të tjerëve për të ndërtuar xhami dhe kisha joortodokse do t’i llogarisë si marrëzi, katundari, provincializëm, radikalizëm dhe fundamentalizëm islam! Mosftesa për Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiut, në ditën e përurimit të Ivanovit, ishte një gafë diplomatike e radhës, ndërkaq ftesa defektuale drejtuar po të njëjtit President për ta vizituar Maqedoninë i ngjan asaj urtësie popullore: “... Më dërgoi nëna të thash, t’u thafshin këmbët kurrën e kurrës mos ardhsh!” Kjo ftesë tallëse kryekëput do ta ndryshojë kodin moral dhe karakterin e protokollit edhe ashtu amatoresk, një protokoll i pastandardizuar dhe i shëmtuar, një protokoll i ri-i vjetër, që, pa dyshim, është një kopje e zbehtë e protokollit të Gligorovit dhe Cervenkovskit, një protokolli që përgjithmonë do t’i mbyllet edhe kapërcyelli i fundit, ai kapërcyell që të mundëson të degdisësh në Evropë! Kjo “ftesë” përcjell një mesazh joserioz, infantil, megaloman dhe, në instancë të fundit, një mesazh dashakeq që në vedi ka një urrejtje të theksuar, një urrejtje të hapur por ama që të godet tinëzisht në kokë. Këto janë mesazhe që nuk i shërbejnë zhvillimit të perspektivës politike, tolerancës ndërkonfesionale asaj ndërnacionale dhe ndërfqinjësore.
Këto ndërtime të objekteve sakrale, këto emërtime me emra antike, mosftesat dhe ftesat joserioze të kabinetit presidencial, do të bëhen në kohën kur ky shtet sot e gjithë ditën do të ballafaqohet me problemin e baticës së krizës ekonomike, një krizë që ndoshta edhe definitivisht me sebep apo pa sebep do ta varrosë ekonominë edhe ashtu të sëmurë dhe të brishtë të vendit. Me gjithë faktin se ekonomia është në prag-shkatërrim, politikëbërësit maqedonas, lëre që nuk do të kërkojnë ndihmë, përkundrazi, skajshmërisht do të inatosin dhe do të lënë mënjanë këshillat dhe sugjerimet e ekspertëve, qofshin ata vendorë apo botorë.
Dhe shqiptarët në Maqedoni, duke u dalldisur me politikën provinciale si dhe me egoizmin e shfrenuar të politikanëve maqedonas, për kushedi sa kohë do të harrojnë defektet e politikëbërjes së tyre... do të harrojnë se politikës së tyre i mungon modeli i mirëfilltë, një politikë që i mungon vizioni dhe imazhi, një politikëbërje që është imponuese dhe agresive, një politikë e acaruar, një model pak i respektuar dhe që është shumë i ngarkuar me emocione, ulëritje, sharje, shpifje dhe etiketime nga më të ndryshmet. Është një politikë që me elektoratin do të lidhë “kontratë morale katërvjeçare” duke mos i anashkaluar premtimet boshe. Dhe shqiptarët duke qenë të uritur dhe të etur për pushtet, në vend që të ndërtojnë një politikë vizionare, një politikë me alternativë serioze, një politikë që duhet ta bëjnë si një institucion me standarde, ata si për inat do ta ndërtojnë kështjellën e papërgjegjësisë së tyre fodulle dhe politike. Ata si për inat do të thurin gardhin e avllisë së pseudoakuzave, thashethemeve, denigrimit, neglizhimit dhe copëtimit të argumenteve dhe provave që llafosin të arriturat e njërës apo tjetrës parti politike shqiptare. Në vend që ata të lidhen, ngelin përgjithmonë të palidhur. S’do mend se këto parti politike, që popullohen me njerëz që kanë një mendje, edhe më tej, do të frymojnë dhe veprojnë në strofkat e skllavërisë së urrejtjes, inatit dhe të apatisë së pashpjegueshme. Ky pasivitet yni edhe më tej vazhdon të jetë aktiv dhe duke vazhduar të jetë aktiv, të lë përshtypjen se hija e kësaj politikëbërjeje ashtu thjesht ta shiton ndjesinë se partitë politike shqiptare (nuk) duhet të jenë shpresa dhe e ardhmja jonë!?
Për të mos e personalizuar shkrimin e radhës dhe për të mos u dhënë hapësirë njerëzve, të më thonë se gjykimet i kam të gabueshme, se jam goxha i vonuar nga mendja, do të më duhet t’i referohem një shprehjeje proverbiale: “Më bëj baba të të ngjaj ty”. Dhashtë Zoti që politikëbërësit shqiptarë të jenë unikë dhe vëllazërorë, me të vetmin qëllim që t’i ngjajnë sado pak politikëbërjes evropiane. Ndryshe nuk bën.