QSUT-ja, pacientët në rrezik nga prekja e baktereve
Spitalet janë kthyer në një rrezik të vazhdueshëm për pacientët, për shkak të marrjes së baktereve gjatë operacioneve. Gjatë stinës së verës skandali i pacientëve të prekur nga bakteri i Stafilokokut apo Pseudomonas, vuri në alarm qytetarët dhe vetë autoritetet shëndetësore. Nga analizat e kryera rezultoi se këto baktere gjenden në të gjitha sallat e operacioneve dhe te pacienti mund të merren nëpërmjet veshjeve të prekura, materialeve mjekësore, shtretërve etj. Drejtoresha e QSUT-së, Gjeorgjina Kuli, sqaroi se ky problem është prezent. Ndërkohë që do të merren masa nga Drejtoria e QSUT-së, në bashkëpunim me ISHP-në, ku do të kryhen në vazhdimësi analiza laboratorike për të shmangur prekjen nga bakteri. Specialistët e Shëndetësisë kanë kryer rreth 50 kontrolle gjatë vitit të kaluar dhe kanë konstatuar se bakteri ka qenë në masë të madhe. Shkak për përhapjen e tij është bërë mosdezinfektimi me preparatet e duhura dhe në çdo kohë i ambienteve të sallave të operacionit pas çdo ndërhyrjeje kirurgjikale. Rastet më të shumta të prekura nga bakteri kanë qenë pacientët që janë prekur nga bakteri i Stafilokokut, që është i rrezikshëm për jetën nëse nuk kapet në fazat fillestare. Në QSUT bakteri u zbulua pasi pacientët e operuar kishin temperaturë të lartë dhe ethe pas operacionit për një kohë të gjatë. Drejtoresha Kuli, në analizën vjetore të QSUT-së, paraqiti dhe disa pika kyçe, të cilat janë bërë problematike për punën e kryer në spitale. Një çështje e rëndësishme dhe problematike është evidentuar në kryerjen e konsultave, ku vihet re se ka pasur mjaft vizita, por mjekët nuk i kanë raportuar të gjitha rastet. Për këtë arsye, çështja e konsultave është quajtur si sektori më i dobët. Përsa i përket sëmundjeve, është vënë re se tumoret zënë vend të konsiderueshëm, 13 000 raste.
31 Janar 2009