E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërndahen 2 mijë laboratorë virtualë në shkollat 9-vjeçare



Në kuadër të programit “Cilësi dhe barazi në arsim”, dje janë shpërndarë rreth 2 mijë laboratorë virtualë, me vlerë afro 1 milion euro, në shkollat e arsimit parauniversitar. Shpërndarja e laboratorëve ka nisur fillimisht në kryeqytet dhe më pas ka vazhduar në të gjitha shkollat e vendit. Drejtori i Informacionit dhe Statistikës në Ministrinë e Arsimit, Përparim Shera, i pranishëm në shkollën “Sabaudin Gabrani” në Tiranë, gjatë shpërndarjes së pajisjeve elektronike, bëri të ditur nisjen e zbatimit të fazës së parë të shpërndarjes së 2 mijë laboratorëve virtualë në shkollat e arsimit parauniversitar. Një set pajisjesh elektronike do të shpërndahen në shkolla, i përbërë nga: një laptop, një video projektor dhe një CD multimediale, e cila ka në përmbajtje të saj programe dixhitale, me module mësimore elektronike të lëndëve të ndryshme, të cilët mësuesit do t’i përdorin në procesin e mësimdhënies (lëndët fillestare në CD e para janë Matematika, Fizika, Kimia). Nga ky projekt do të pajisen 1 081 shkolla sipas një plani shpërndarjeje, i cili shtrihet në të gjitha njësitë vendore në vend. Shpërndarja e seteve është kryer sipas disa kritereve të paracaktuara nga numri i klasave dhe nxënësve në shkolla. Shkollat do të pajisen me deri në 6 sete laboratorësh virtualë, të cilët do të përfshijnë pajisjet e mësipërme. Ditën e djeshme ka filluar shpërndarja në qytetin e Tiranës, që do të pajiset me 360 laboratorë virtualë si dhe në Drejtoritë Arsimore Rajonale të Durrësit, përfshirë edhe zonat rurale. MASH-i bën të ditur se njëkohësisht po realizohet nga Instituti i Kurrikulës dhe Standardeve trajnimi i mësuesve mbi përdorimin e laboratorëve virtualë. Deri sot, nga ky Institut janë trajnuar mbi 700 mësues në Tiranë dhe rrethe të tjera.

31 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›