E Shtunë, 31 Tetor 2026

AMC përmirëson kushtet në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”



Përmirësohen kushtet e pritjes në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, në kryeqytet. Gjithçka është bërë e mundur falë investimit të bërë nga kompania e telefonisë celulare në vend AMC. Përmirësimi i kushteve të të sëmurëve dhe lehtësimi i punës së personelit mjekësor në qendrat spitalore është një nga prioritetet e projekteve sociale të AMC-së. Në vitin 2007, në bashkëpunim me USAID, kompania realizoi ngritjen e urgjencës ditore të maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” në kryeqytet. Tetë muaj më vonë, rezultati pozitiv i këtij projekti është i dukshëm jo vetëm për mjekët dhe mamitë që punojnë aty çdo ditë dhe dinë të bëjnë dallimin mes të shkuarës dhe të tashmes, por, dhe sidomos, për pacientët. Një nga përparësitë e urgjencës së re është se falë shtimit dhe sistemimit të hapësirës mund të kurohen dhjetëra paciente më shumë. Ato marrin asistencën e duhur dhe mbi të gjitha kanë mundësi të qëndrojnë një ditë të plotë dhe të largohen vetëm kur gjendja e tyre të jetë normalizuar plotësisht. Urgjenca mundëson kryerjen e një numri të larmishëm diagnostikimesh dhe kontrollesh në një mjedis me higjienë të lartë, të ngrohtë dhe komod. Qendra e re është një nga pikat kyçe dhe më efikase të maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”.

31 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›