E Shtunë, 31 Tetor 2026

MASH: Drejtorët e shkollave, tani me licencë

Drejtorët e shkollave për të ruajtur detyra të tilla duhet që të kalojnë në një sërë testimesh nga ana e Ministrisë së Arsimit për t‘u pajisur me një licencë. Vlera njohëse e saj ka një afat prej 8 vjetësh. Të njëjtit proces do t‘i nënshtrohen edhe vartësit e tyre, nëndrejtorët e shkollave. Sipas Ministrisë së Arsimit, është përgatitur një draft posaçërisht për të reformuar sistemin drejtues të shkollave. Qëllimi mbetet seleksionimi në krye të këtyre institucioneve të mësimdhënies, të kapaciteteve më të mira profesionale dhe intelektuale. Përfitues nga ky projekt i ri i Ministrisë së Arsimit mësohet se do të jenë ata drejtues aktualë shkollash që do të zhvillojnë trajnime të vazhdueshme për dy vjet me radhë, por pa u shkëputur nga puna. Trajnimet bëhet e ditur se do të jenë në formën e moduleve, ku do të testohet përgatitja dhe njohuritë në fushën teorike, por pa lënë mënjanë shprehitë praktike. Përveçse do të ketë një provim përfundimtar për të gjithë kandidatët për drejtor shkollash të nivelit parauniversitar, ata do të detyrohen që t‘i nënshtrohen testimit për çdo modul të përcaktuar nga specialistët e ministrisë. Vlerësimi do të jetë me kredite dhe numri minimal i tyre nuk duhet të jetë më pak se nëntë të tilla. Agjencitë përkatëse trajnuese do të kryejnë edhe provimet e moduleve, duke përcaktuar edhe afatet për to. Kjo mbështetet në draft-strategjinë për reformën e sistemit të formimit dhe zhvillimit profesional. Është sistemi i pikëve ai që do të shpallë edhe kandidatët fitues për të marrë licencën e pozicionit të nëndrejtorit të një shkolle. Por për të arritur deri në pozicionin e drejtorit do të duhet ende punë. Fillimisht duhet marrë licenca për nëndrejtor dhe pas ushtrimit të praktikës profesionale, jo për më pak se një vit, merret edhe licenca tjetër. Ajo ripërtërihet, ndërkohë që fituesit detyrimisht duhet që të jenë aktivë dhe të marrin pjesë edhe në kurse të tjera trajnuese, që sipas MASH-it, do të organizohen nga agjencitë qeveritare dhe ato private në këtë fushë. Një ndër kushtet e vendosura për të aplikuar dhe për t‘iu nënshtruar procesit të pajisjes me licencë është edhe plotësimi i paketës së tij personale. Në këtë "dosje" duhet të depozitohen vlerësimet e punës si mësues, dëshmi të aftësive të tjera kualifikuese etj. Gjithashtu, MASH-i përmes një udhëzimi ka përcaktuar se ngarkesa mësimore e drejtorit të shkollës, ku ka më shumë se 900 nxënës, të shpërndahet ndërmjet personelit mësimor të shkollës. Por kjo vetëm në ato raste kur heqja e ngarkesës mësimore nuk ka efekte financiare. Një gjë e tillë, sipas hartuesve të draft-strategjisë, mendohet se do të çlirojë drejtuesit nga norma mësimore, duke krijuar impakte pozitive në mirëmenaxhimin e shkollave dhe problematikave me të cilat ato përballen çdo ditë. Aktualisht, përzgjedhja e drejtuesve të shkollave të nivelit parauniversitar është në duart e Drejtorive Arsimore Rajonale. Në kompetencat e tyre përfshihen uljet dhe ngritjet në detyrë të mësuesve. Ndërkohë që, sistemi i ri i testimit dhe më pas licencimit pritet të prodhojë drejtues më të aftë profesionalisht dhe larg përzgjedhjeve subjektive.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›