E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura, korrigjimi "me shkëmbime"

Korrigjimi i provimeve të Maturës Shtetërore do të ndryshojë. Mënyra e re e vlerësimit të testeve do të jetë e vlefshme si për dy provimet e maturës, matematikë dhe letërsi, ashtu edhe për lëndët me zgjedhje. Ministria e Arsimit bën të ditur se do të ngrihen edhe tri qendra të tjera vlerësimi, përveç asaj që funksionon që prej dy vjetësh në kryeqytet. Në këto qendra të reja mësohet se është planifikuar që të dërgohen për t‘u vlerësuar provimet e maturantëve të kryeqytetit, ndërsa ata të rretheve do të vijnë për rezultate në kryeqytet. "Do të jenë tri qendra korrigjimi për provimet e maturës në rrethe, përkatësisht në Shkodër, Elbasan, Fier dhe një qendër korrigjimi në kryeqytet", bëjnë të ditur përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit. Sipas tyre, kjo metodë e re pune bëhet me qëllim që të shmangen abuzimet, si dhe për të garantuar një proces sa më të saktë të vlerësimit të maturantëve. Pikërisht për këto arsye është parashikuar që korrigjimi i testeve të bëhet i shkëmbyer ndërmjet këtyre qendrave. Kjo iniciativë e re përcakton kështu linjën vajtje-ardhje të fletëve të provimit, atyre që do të vijnë nga rrethet në kryeqytet për t‘u korrigjuar, si edhe ato të maturantëve të Tiranës që do të dërgohen në rrethe. Kjo procedurë, sipas specialistëve të arsimit, do të ndihmojë në nxjerrjen e rezultateve në një kohë më të shkurtër. Fletët do të jenë të mbyllura dhe të pajisura me kod të veçantë identifikimi për çdo maturant, të dhënat e të cilëve ruhen pranë AVA-s. Ky është një rregull i vendosur që në hapat e parë të Maturës Shtetërore. Ndërkohë, sipas Drejtorisë Arsimore të Tiranës ka filluar edhe përzgjedhja e mësuesve që do të shërbejnë për vlerësimin e provimeve, si dhe të atyre që do të jenë administratorë gjatë kohës që do të zhvillohen testimet. Tezat e provimeve për këtë vit do të përmbajnë nga 20 pyetje për secilën lëndë, si dhe do të jenë të kombinuara si pyetje alternative, ashtu dhe me zhvillim. Provimet do të nisin me 9 qershor dhe pritet të përfundojnë më 17 korrik, ku do të jepen lëndët me zgjedhje që janë vendimtare për pranimet në universitet.
Në kryeqytet është përcaktuar nga drejtoria arsimore se do të jenë rreth 70 vlerësues testesh për secilën lëndë, si për provimin e parë të detyrueshëm të letërsisë, ashtu edhe për lëndën e matematikës. Për provimet e lëndëve me zgjedhje, duke qenë se do të ketë vlerësim edhe nëpërmjet skanerit, do të ketë më pak vlerësues testesh.

Struktura



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›