E Shtunë, 31 Tetor 2026

MASH: Kthyem lekët e librave te prindërit e nxënësve

Rreth 7 për qind e prindërve të nxënësve që janë pajisur me libra shkollorë me vlerë të rimbursueshme janë treguar indiferentë ndaj kthimit të parave. Ndërsa rreth 90 për qind të tjerë kanë përfituar nga kthimi i një pjese të parave për blerjen e teksteve shkollore për vitin 2007-2008. Këto janë të dhënat e raportuara dje nga zëvendësministri i Arsimit, Halit Shamata, dhe drejtori i Postës Shqiptare, Arqile Gorrea, të cilët e kanë konsideruar të mbyllur procesin e kthimit të parave për librat e blerë me lekë në dorë nga prindërit e nxënësve.

"Dua të bëj me dije se deri në fund të muajit mars 2008, është shpërndarë 88-90% e fondit të parashikuar për kompensim dhe deri në fund të muajit prill, pritet që shpërndarja të shkojë në 93% të 2.5 milionë eurove, që është vlera totale e fondit në buxhetin e këtij viti", tha dje Shamata. "Sipas skemës së re, shtoi ai, vlera e kompensimit të teksteve shkollore u kalon drejtpërdrejt përdoruesve, domethënë prindërve dhe nxënësve, në ndryshim nga skema e vitit 2006, kur subvencioni u kalonte botuesve". Ky proces u mundësua përmes Postës Shqiptare.

"Në disa nga qytetet kryesore të vendit si në Tiranë, Durrës, Shkodër, Korçë, Fier, Vlorë e të tjera, rreth 7% e përdoruesve të teksteve shkollore nuk preferuan të tërheqin kompensimin e garantuar për ta", sqaroi zëvendësministri i Arsimit, teksa theksoi se "në të gjitha zonat ku ka pasur një ndjeshmëri më të lartë për këtë proces si në Kukës, Has, Bulqizë Mat, Tepelenë, Gramsh, Peqin, Kuçovë, Skrapar, shpërndarja ka shkuar deri 100% e fondit të parashikuar".

Procesi i subvencionimit të teksteve shkollore ka shkuar drejt fundit me shumë vonesë. Kjo për shkak të situatës që u krijua në fillim të vitit të ri shkollor, ku mungesa e faturave të tatimeve la shumë prindër pa mundësinë e rimbursimit. Tashmë kjo situatë, sipas drejtuesve të arsimit, në vend, duket e zgjidhur dhe janë pikërisht këta që argumentojnë se kjo është skema më e favorshme e subvencionimit të çmimit të këtyre teksteve. Kjo, ndryshe nga 2006-a, ku paratë që shteti jepte për të kompensuar çmimin e librave shkonin në favor të shtëpive botuese.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›