Kompensimi i pronarëve, një grup ndërministror do të rishikojë hartën e çmimit të tokave
Eljona Ballhysa
Një grup ndërministror ka nisur punën për të rishikuar hartën e çmimit të tokave. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Tunxh Vatnikaj, ka bërë të ditur dje për gazetën “Albania” se një grup ekspertësh nga Ministria e Bujqësisë, nga Ministria e Financave dhe ajo e Drejtësisë është ngritur posaçërisht për të verifikuar çmimet e tokave. Rishikimi i hartës së çmimit të pronës ka lindur si nevojë e diferencës së thellë të çmimeve në zona të ndryshme, por edhe të rëndësisë që marrin disa zona për shkak të investimeve publike. Harta e çmimit të tokës merr një rëndësi të veçantë në procesin e kompensimit financiar të ish-pronarëve. Sipas Vatnikajt, grupi i ekspertëve po shikon parregullsitë në përcaktimin e çmimeve në zona të caktuara. Grupi i ekspertëve mësohet se do të shikojë zonat në të cilat çmimi i tokave është rritur në mënyrë artificiale, ndërkohë që do t’i japë përparësi rritjes së çmimit të tokave në zonat urbane.
Problematika
Vetëm pak kohë më parë, në muajin shkurt të këtij viti, qeveria miratoi ndryshimet në hartën e vlerës së pronave të paluajtshme në qarqet kryesore të vendit. Pikërisht për qarqet e Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Fierit, Vlorës dhe Shkodrës u miratuan hartat me vlerat e reja të tokave bujqësore, sipërfaqet e livadheve dhe kullotave, sipërfaqet pyjore, vlerat e trojeve në zonat rurale, vlera e trojeve në zonat urbane të qyteteve si dhe vlerat e trojeve në qendrat e banuara ku investimet nuk janë rentabël. Në relacionin që i bashkëlidhej vendimit të qeverisë renditen disa nga problemet që janë vënë re gjatë zbatimit të Metodikës së Vlerësimit, e cila është miratuar nga Parlamenti dhe që po rishikohet edhe nga grupi i ekspertëve. Kështu, bëhet e ditur se planet rregulluese nuk përmbajnë të plotësuar koeficientet e duhura, ndërsa planet rregulluese të miratuara para viteve ‘90 nuk përputhen me vijën kufizuese të ndërtimeve. Për disa qytete nuk ka studime urbanistike të miratuara. Lejet e ndërtimit për periudhën 2001-2006 nuk kanë të dhëna për koeficientet që përcakton pjesën e pronarit në zhvillimin e ndërtimit etj. Ndërsa për përcaktimin e hartës së vlerës së pronës për zonat turistike dhe industriale ka mungesë informacionit përsa u përket treguesve të zhvillimit, po ashtu dhe treguesve hartografikë. Nga ana tjetër, mësohet rishikimi i hartës është bërë dhe për shkak se duke u bazuar në metodikë, vlera e zonave industriale del shumë herë më e lartë nga sa ajo që është realisht në tregun vendas. Ndaj dhe ekspertët kanë menduar se është e nevojshme që të ketë ripërshtatje të situatës. Për të përcaktuar vlerat e reja të trojeve ekspertët duhet të analizojnë të gjithë treguesit e lejeve të ndërtimit të dhëna nga viti 2001 e në vijim. Po kështu duhet marrë parasysh çmimi i shitjes së banesave nga Enti Kombëtar i Banesave, si dhe të dhënat fiskale nga Drejtoritë e Tatim Taksave, si dhe çmime që vijnë nga tregu i lirë nga agjencitë imobiliare. Pas mbledhjes së informacionit nga të gjitha institucionet e lartpërmendura operohet me çmimin mesatar.
Fondi
Vetëm pak kohë më parë qeveria vendosi që të shtyjë afatin e aplikimit të ish-pronarëve për të përfituar kompensim financiar deri në fund të këtij viti. Më parë ishte vendosur që fondi prej 5 miliardë lekësh të ndahej brenda gjashtëmujorit të parë. Por Këshilli i Ministrave vendosi që të shtyjë afatin në mënyrë që t’i jepet më shumë kohe shtresës së ish-pronarëve për të përgatitur dokumentacionin e nevojshëm për të aplikuar për dëmshpërblim financiar.
Zonat turistike, mungon harta e çmimit të tokës
Harta e çmimit të tokës vazhdon të mungojë në zonat turistike të vendit. Kjo për shkak të vështirësive që janë hasur në përcaktimin e vlerave të çmimit real të truallit në këto zona. Sipas burimeve zyrtare harta e çmimit të tokave në zonat turistike mungon dhe për shkak se qeveria nuk ka përcaktuar ende vijën e zonave turistike. Pra pritet që Këshilli i Ministrave të përcaktojë se cilat do të jenë zonat me përparësi zhvillimin e turizmit. Pas përcaktimit të kësaj do të fillojë dhe procesi i hartimit të hartës së vlerës së tokës në këto zona. Po kështu mendohet se në zonat turistike ka shumë mbivendosje të titujve të pronësisë dhe mendohet se procesi i kthimit dhe kompensimit të ish-pronarëve do të hasë në vështirësi, për shkak të konflikteve që lidhen me këtë proces. Megjithatë, burime nga AKKP-ja bëjnë të ditur se ka nisur studimi për të përcaktuar hartën e çmimit të tokës në zonat turistike, megjithatë, ende nuk ka një material të përfunduar.
Harta aktuale e çmimit të tokës në qarqet kryesore të vendit
Qarku i Elbasanit
Peqin: vlera e truallit 2398 lekë/m2
Gramsh: vlera e truallit 2956 lekë/m2
Përrenjas: 3620 lekë/m2
Librazhd: 16176 lekë/m2
Belsh: 2980 lekë/m2
Qarku Fierit
Patos: maks.: 3593 lekë/m2
min.: 1843 lekë/m2
Roskovec: 2744 lekë/m2
Cakran: maks.: 925 lekë/m2
min.: 630 lekë/m2
Libofshë: maks.: 1039 lekë/m2
min.: 683 lekë/m2
Qendër: maks.: 1095 lekë/m2
min.: 769 lekë/m2
Levan: maks.: 921 lekë/m2
min.: 630 lekë/m2
Bashkia Ballsh: 3179 lekë/m2
min.: 1755 lekë/m2
Qarku i Tiranë:
Zall-Herr maks.: 1641 lekë/m2
min.: 1231 lekë/m2
Prezë maks: 2065 lekë/m2
min.: 1463 lekë/m2
Komuna Vaqar: 2367 lekë/m2
Komuna Arbanë: 2216 lekë/m2
Komuna Kashar: 2276 lekë/m2
Komuna Yzberisht: 2576 lekë/m2
Komuna Pezë: 2095 lekë/m2
Komuna Ndroq: 1914 lekë/m2
Komuna Kamzë: 2834 lekë/m2
Rrogozhina: 3571 lekë/m2
Qarku Vlorë
Dhërmi: 2281 lekë/m2
Palasë: 1729 lekë/m2
Pilur: 671 lekë/m2
Orikum: 17867 lekë/m2
Radhimë: 2143 lekë/m2
Novoselë: 1726 lekë/m2
Nartë: 1646 lekë/m2
Zvërnec: 1617 lekë/m2
Delvinë maks.: 1191 lekë/m2
min.: 397 lekë/m2
Ksamil: 3686 lekë/m2
Qarku Durrës
Manëz maks.: 786 lekë/m2
min: 369 lekë/m2
Sukth maks: 3239 lekë/m2
min.: 1134 lekë/m2
Shijak maks: 3561 lekë/m2
min.: 1753 lekë/m2
Bashkia Krujë maks.: 5731 lekë/m2
min.: 3313 lekë/m2
Bashkia Fushë Krujë: 3719 lekë/m2
Qarku Shkodër
Bashkia Shkodër maks: 31753 lekë/m2
min.: 13429 lekë/m2
Bashkia Vau i Dejës maks.: 1501 lekë/m2
min.: 391 leke/m2
Velipojë: 1286 lekë/m2
Bashkia Koplik: 6747 lekë/m2
Komuna Kastrat maks.: 1699 lekë/m2
min.: 772 lekë/m2
Komuna Kelmend maks: 805 lekë/m2
min.: 548 lekë/m2
Bashkia Pukë maks: 1159 lekë/m2
min.: 653 lekë/m2
Bashkia Fushë Arrëz maks.: 642 lekë/m2
min.: 265 lekë/m2
30 Qershor 2008