MASH: Rama, i tmerruar nga rritja e të shkolluarve në Shqipëri
Marroset Edvini, cilëson “minë me sahat” shkollat dhe universitetet në vend
Ministria e Arsimit dhe Shkencës reagoi dje pas akuzave që bëri lideri i opozitës, Edi Rama, i cili e cilësoi arsimin shqiptar si të degraduar. Sipas MASH, deklaratat e Ramës tregojnë se atë e ka zënë tmerri nga rritja e numrit të të shkolluarve në Shqipëri. Gjithashtu, Rama i bëri apel të rinjve të mos shkojnë në universitete se mbeten pa punë duke mohuar punën e stafit pedagogjik, cilësinë e sistemit arsimor, duke mohuar gjithashtu dhe rolin që ka luajtur iniciativa private në zhvillimin e arsimit. “Z. Rama e ka zënë tmerri nga rritja e numrit të të shkolluarve në Shqipëri. Liberalizimi i arsimit të lartë i realizuar nga kjo qeveri u dha mundësi djemve dhe vajzave shqiptare, që nuk i përkisnin bllokut, të realizojnë ëndrrën e tyre për dije. Zoti Rama, mohoi çdo arritje të arsimit shqiptar, mohoi faktin që Shqipëria sot ka një numër studentësh të krahasueshëm me vendet e Bashkimit Europian, mohoi që nga shkolla shqiptare dalin çdo vit nxënës dhe studentë që konkurrojnë dhe fitojnë në shkollat më të mira të botës, u tha studentëve mos shkoni në universitete se mbeteni pa punë, mohoi punën e palodhur të mësuesve e pedagogëve, të drejtuesve të shkollave dhe universiteteve, mohoi rolin e madh që ka luajtur iniciativa private në zhvillimin e arsimit tonë në të gjitha nivelet. Zoti Rama ftoi prindërit dhe familjet shqiptare që mos të investojnë për të arsimuar fëmijët e tyre në Shqipëri. Këtë herë zoti Rama nuk mundi të mohojë mbi-dyfishimin e pagave të mësuesve por mohoi punën e tyre të shkëlqyer për përgatitjen e nxënësve edhe pse nga duart e tyre dalin çdo vit nxënës e studentë të shkëlqyer. I kujtojmë zotit Rama, se asnjë i shkolluar nuk është minë me sahat për këtë vend. Përkundrazi, shkollimi e bën çdo të ri dhe të re qytetar të një shoqërie demokratike dhe shumëfishon mundësitë për punësim dhe jetë më të mirë” - thuhet në deklaratën për shtyp të Ministrisë së Arsimit.
Gjithashtu, MASH garanton se “qeveria “Berisha”, është e vendosur të thellojë reformat në të gjitha nivelet e arsimit për ti krijuar çdo nxënësi që përfundon arsimin e detyruar, mundësinë të vijojë arsimin e mesëm dhe çdo maturanti që përfundon me sukses arsimin e mesëm të vazhdojë arsimin e lartë. Kjo qeveri e ka shpallur Cilësinë, si sfidë kryesore të sistemit tonë arsimor. Rritja e investimeve në burimet njerëzore dhe infrastrukturë, puna e palodhur dhe motivacioni i mësuesve dhe pedagogëve dhe mbështetja shembullore e prindërve për fëmijët e tyre, na bëjnë optimiste se edhe këtë sfidë do ta fitojmë”.