E Diel, 1 Nëntor 2026

MASH hap aplikimet për 3 anëtarë ekspertë

Autori i Lajmit: red.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës shpall kërkesën për aplikim për 3 anëtarë ekspertë që do të bëjnë pjesë në Këshillin e Akreditimit të Arsimit të Lartë. Ndër kriteret që duhet të plotësojnë këta kandidatë është zotërimi i titullit “Profesor”, duhet të jenë anëtarë të personelit të brendshëm akademik të një institucioni të arsimit të lartë dhe të mos jenë autoritet drejtues si rektor, zv.rektor apo dekan. Aplikimi do të bëhet në MASH, deri më 22 gusht 2008, pranë Drejtorisë së Politikave të Arsimit të Lartë. MASH vlerëson pjesëmarrjen e forcave akademike më të kualifikuara në këtë aplikim për anëtarë të Këshillit të Akreditimit të Arsimit të Lartë, i cili në bazë të nenit 60/3 të ligjit nr.9741, datë 21.05. 2007 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ka një rol thelbësor në akreditimin e institucioneve dhe programeve të arsimit të lartë publik e privat në Republikën e Shqipërisë. Mandati i anëtarëve të Këshillit të Akreditimit është 5 vjet.

Ligji i Arsimit të Lartë
Neni 60
Pranë Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë funksionon Këshilli i Akreditimit. Këshilli i Akreditimit është një organ kolegjial që rekomandon, bazuar në vlerësimin e jashtëm të cilësisë, akreditimin e programeve/institucioneve në arsimin e lartë publik dhe privat. Ai është i pavarur në punën e tij dhe bën publik vendimet e këshillit, duke shprehur edhe mendimet kundër. Në këshill përfaqësohen në mënyrë të balancuar institucionet e arsimit të lartë, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Shkencës, ekspertë të fushave, si dhe një student nga organizimet studentore. Ministri i Arsimit dhe i Shkencës emëron anëtarët e Këshillit të Akreditimit nga kandidatët e propozuar nga palët e përfaqësuara. Kryetari i Këshillit të Akreditimit përzgjidhet nga kandidatët e propozuar nga Këshilli i Akreditimit dhe emërohet e shkarkohet nga Kryeministri, me propozim të ministrit të Arsimit dhe të Shkencës. Anëtarësia në Këshillin e Akreditimit është e papajtueshme me detyrën e rektorit, zëvendësrektorit dhe dekanit.
Ky lajm është publikuar: 09/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›