E Diel, 1 Nëntor 2026

Merimanga e zezë helmon 4 banorë në një ditë

Autori i Lajmit: red.
Rishfaqet sërish merimanga e zezë. Këtë herë në Berat ka pickuar katër persona, brenda një dite. Një prej banorëve ndodhet në gjendje kritike për jetën si pasojë e helmit prej merimangës së zezë. Merjeme Oshafi nga fshati Veterik u dërgua urgjent në spitalin e Tiranës në rrezik për jetën. Nga ana tjetër, mjekët bëjnë apel që personat që punojnë në bujqësi, të bëjnë kujdes nga merimangat apo nga insektet e tjera të rrezikshme. Mjekët rekomandojnë dërgimin e menjëhershëm në spital në rast të pickimit nga merimanga sidomos tek fëmijët. Disa prej shenjave që mund të shfaqen, edhe vetëm pas disa orëve janë: dhimbje e fortë; një ose dy shenja të vendeve të pickimit; enjtje; të përzjera dhe të vjella; vështirësi në frymëmarrje; shok; konvulsione; përgjumësi. Sipas mjekëve, ajo që duhët bërë në momentin e pickimit, para se të shkoni në spital është qetësimi. “Uluni dhe mbani të palëvizur pjesën e pickuar, kafshuar dhe uleni më poshtë se niveli i zemrës. Lani me kujdes zonën e prekur, mos e thithni vendin e kafshimit, apo pickimit. Kontrolloni nëse ka gjendje shoku dhe veproni sipas këshillave për trajtimin e tij. Nëse personi është kafshuar apo pickuar në një këmbë, mos ia ngrini këmbët lart. Nëse humbet ndërgjegjen, kontrolloni frymëmarrjen. Kur nuk merr frymë, filloni frymëmarrjen artificiale. Nëse merr frymë, vendoseni të dëmtuarin në pozicionin anësor të palëvizshëm. Përpiquni të gjeni shkaktarin e kafshimit, pickimit dhe mundohuni ta merrni për t ia treguar mjekut”, - përfundojnë mjekët këshillat.
Ky lajm është publikuar: 09/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›