E Diel, 1 Nëntor 2026

Transfuzioni i gjakut, fëmijët rrezikojnë Hepatitin C

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Fëmijët që marrin gjak nëpërmjet transfuzionit, rrezikojnë infektimin me Hepatit C apo viroza të tjera si ai vdekjeprurës Hiv/Aids. Sipas të dhënave, rasti më i fundit ka qenë ai i një fëmije të vogël nga qyteti i Fierit, i cili mësohet të jetë infektuar me Hepatit C gjatë transfuzionit të gjakut. Pasiguria e transfuzionit ka alarmuar edhe prindërit e fëmijëve talasemikë, të cilët herë pas here duhet të marrin gjak. Shefja e repartit të pediatrisë në QSUT, Iliriana Agolli, tha dje se i gjithë kontrolli për të parandaluar këtë rrezikshmëri duhet të përqendrohet tek qendrat e grumbullimit të gjakut. Ajo shtoi më tej se nuk përjashtohet rreziku që fëmijët të infektohen, pasi gjaku që mund të merret në periudhën dritare, rezulton i pastër, edhe pse u nënshtrohet analizave. Shefja e repartit të pediatrisë nuk jep statistika të fëmijëve të infektuar, por thotë se kategoritë më të rrezikuara janë ato të talasemikëve dhe hemofilikëve. Dy vjet më parë, një skandal tjetër u bë publik, ai i infektimit të katër fëmijëve talasemikë me virusin Hiv. Nga ana tjetër, drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut konfirmoi dje se gjaku që përdoret për transfuzion është i analizuar dhe pacientët dhurues janë të gjithë të testuar. Sipas saj, problemi me bankat e gjakut është i njohur për raste sporadike infektimi, pasi dhuruesi gjatë periudhës, e cila njihet nga mjekësia si periudha dritare, prej 6 muajsh, mund të ndodhë që të infektohet. Në kuadrin e strategjisë kombëtare të gjakut të sigurt, për të minimizuar këto raste, të cilat, pjesa më e madhe, vijnë nga dhuruesit me pagesë, këta dhurues pritet që brenda vitit 2010 të eliminohen dhe gjaku për transfuzion do të dhurohet nga vullnetarë, punonjës institucionesh, forcat e armatosura dhe familjarë, për të mbuluar të gjitha kërkesat e mjekësisë shqiptare. “Pasiguria e gjakut është një problem në të gjithë botën jo vetëm në Shqipëri dhe kjo është e lidhur me periudhën dritare dhe mostestimin e gjakut për agjentë infektivë. Në strategjinë kombëtare kundrejt transfuzionit të gjakut të sigurt është parashikuar që në vitin 2010 ne të mos kemi më dhënës me pagesë, por kjo do të bëhet duke shtuar dhuruesit familjarë ose vullnetarë dhe duke hequr dhuruesit me pagesë”, - ka deklaruar drejtoresha në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, Irena Combo.
Ky lajm është publikuar: 09/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›