E Diel, 1 Nëntor 2026

Emrat e universiteteve dhe dy standardet e sotme

Andon Andoni 

Në ditët e para të lajmit, se në senatin e universitetit "Ismail Qemali" të Vlorës ishte artikuluar një propozim me tetë vota, por dhe gjashtë kundër mospërdorjes,(më pëlqen të përdor këtë term dhe jo heqje) së emrit të njërit prej njerëzve më të kuotuar në vlera historike, kombëtare, atdhetare dhe indipendente, Ismail Qemalit nga emërtimi i universitetit, por të mbetej thjesht Universiteti i Vlorës, edhe autori i këtij shkrimi ishte në krahun e njerëzve që u çuditën me këtë propozim. Se në fund të fundit, me apo pa emrin e Plakut të Pavarësisë Shqiptare (fjala është vetëm për përdorjen apo mospërdorjen e emrit dhe jo të meritave të tij të padiskutuara nga askush), universiteti i qytetit bregdetar, nuk do të kishte absolutisht asnjë ndryshim në rritjen e kredibiliteteve apo rrëgjimit të tij si brenda dhe jashtë vendit.
Kjo duke sjellë në vëmendje se është përmbajtja dhe kredidet që ka dhe duhet të ketë një universitet ajo që i jep emër atij dhe jo emri, i kujtdo personaliteti qoftë ai, që t'i japë emrin e tij të madh universitetit, trupës së profesoriatit dhe studentëve. 
Aq më shumë që, argumenti se gjoja Plaku i Pavarësisë nuk kishte lidhje dhe kontribute me arsimin, ishte i cunguar dhe pa moral. Ndërsa mund të gjenden njëqind arsye për të kundërshtuar propozimin e Senatit me tetë vota pro, sikundër edhe mund të gjenden njëqind arsye të tjera për ta mbështetur atë.
Në këto ditë, kur u vendos përfundimisht të mbahej ana e atyre deputetëve të Vlorës, autoriteteve bashkiake, që nxituan ta vinin në peshoren e logjikës dhe moralit plakun Ismail Qemali me të gjithë universitetin, pedagogët dhe studentët e marrë së bashku dhe Vlorën në krahun tjetër, dhe ku balanca anonte nga Plaku Mjekërbardhë, gjë që ishte si të krahasoje të pakrahasueshmet dhe për më tëpër ishte fyese për palët, e deri tek deklaratat publike të Kryeministrit dhe pastaj të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Fatos Beja, "që nuk mund të miratonin një propozim që nuk kishte mbërritur dhe nuk mbërriti asnjëherë në dyert e Ministrisë dhe pastaj të Kryeministrisë", si "një propozim i nxituar i senatit", sipas Presidentit të Republikës, zotit Topi, do sillja në këtë shkrim argumente se nuk do të ishte ndonjë ogur i keq edhe nëse do të ndodhte e kundërta.
Më duhet të them në fillim të këtyre radhëve, se nga të gjithë qytetarët e këtij vendi, si përdorues të emrave të gjashtë universiteteve të rretheve (Kujtoj se vetëm gjashtë universitetet e rretheve kanë në emërtimet e tyre një emër të një personaliteti të shquar të politikës, të letërsisë, kulturës e artit tonë me përmasa të padiskutuara kombëtare dhe me gjerë) në ligjërimin përditor, askush nuk e përdor emrin e universitetit si të tillë: Universiteti "Fan Noli" Korçë, por "Kam mbaruar në universitetin e Korçës", "Jam pedagog në Elbasan" dhe "Vij nga Universiteti i Gjirokastrës", apo "Po shkoj me shërbim në Universitetin e Vlorës".
Aq e vërtetë është kjo, sa që edhe në mjaft shkresa të institucioneve vartëse të MASH, shkruhen si: Kuotat në UE, Degët në USH etj. Nuk u plotësuan 250 kuota në degën matematikë të UK.
Madje, edhe vetë ministrat dhe drejtorët e drejtorive të Arsimit të Lartë dhe institucioneve, nuk besoj se e përdorin me përkorë, në tavolina pune, raste bisedash dhe debatesh, si për shembull, Universiteti "Ismail Qemali" në Vlorë ka përqindjen më të ulët në pranimet në degën e matematikës etj., por thjesht Universiteti i Vlorës nuk ka përqindjen e duhur në matematikë. Në Universitetin e Durrësit, shkruhej në faqen e parë të disa gazetave vetëm disa ditë më parë, u çel një degë e re etj.
Atëherë përse ndaj një realiteti të tillë duhet të kemi një sjellje kaq kryeneçe vetëm e vetëm se dikur këto universitete u pagëzuan si të tilla, me emrat e personaliteteve si: Luigj Gurakuqi, Fan Noli, Aleksandër Moisiu, Aleksandër Xhuvani, Eqerem Çabej dhe Ismail Qemalië!
Bëhet fjalë vetëm për përdorjen apo mospërdorjen në një emërtim, të secilit prej gjashtë personaliteteve të kombit tonë që shkrinë jetën dhe pasurinë e tyre, talentin dhe gjithçka kishin më të shtrenjtë në çështjen tonë kombëtare. Dhe askush nuk ka thënë qoftë edhe një fjalë, se me këtë aktin e mospërdorjes, figurave të ndritura më shumë se kombëtare, ju hiqet dhe ju cenohet qoftë dhe një grimë nga piedestali i tyre i granituar tashmë dhe i skalitur në faqet i historisë kombëtare dhe deri me kontribute në atë evropiane.
Por dhe një inflacion kaq i madh i emrave të tyre në qindra institucione shkollore e para shkollore (vetëm kopshte, shkolla nëntëvjeçare dhe të mesme në të gjithë vendin me emrin e Naim Frashërit, të Ismail Qemalit, Fan Nolit etj., janë me dhjetëra) në emërtime rrugësh dhe ndërmarrjesh të dikurshme, në emërtime sallash kulture, janë një shëmbëlltyrë jo fort e pëlqyeshme për vetë veprën e tyre të madhe dhe historike.
Disa të tilla emërtesa janë të domosdoshme dhe të nevojshme, të rrënjosura dhe të ngulitura në popull, por gjithsesi inflacioni në këtë çështje është i tejskajshëm dhe me siguri vjen nga një sistem komunist i përdorjes ku dukja, etiketa dhe shfaqja, kishte shumë më shumë peshë se sa thelbi dhe vepra.
Nga ana tjetër, le të sjellim edhe një shembull krahasimi me praktikën e disa prej universiteteve më të famshëm në botë kur është fjala për emërtimet e tyre.
Thua se që nga Amerika e largët, dhe deri në Evropën plakë me Spanjën, Anglinë, Gjermaninë e Austrinë, në Itali dhe deri në Rusinë lindore etj., nuk kanë pasur heronj të tyre kombëtarë dhe njerëz të mëdhenj me emrat e të cilëve mund fare mirë të pagëzonin universitetet e tyre, madje qindra vjeçare dhe nga më të famshmit në botëë Siç dihet ato emërtohen thjesht me emrat e qyteteve apo të konteve të vogla pranë tyre si Universiteti i Harward-it, Cambridge, Shefild-it, New York-ut, Western Michigan, South Florida, Sorbonës, Pizës, Grazë, Sans Petërsburgut etj., etj., dhe jo Universiteti Lincholn, Napoleon, De Gol, Balzak, Shekspeare, Hygo etj., ku ta di unë se çfarë.
Mësova këto ditë se edhe universitetin "Lomonosov" të Moskës e quajnë tashmë thjesht Universiteti shtetëror i Moskës.
Dhe më afër. Kur vetë tek ne, nga të pestë universitetet e Tiranës, që nga ai Bujqësor dhe deri tek ai Politeknik dhe ai i Arteve të Bukura thirren Universitetet e Tiranës, përse duhet "të mos xhelozohemi" dhe të bëjmë të kundërtën e senatit të Vlorës për to!ë
Pse mund të ketë dy standarde për të njëjtën çështje, atë të emërtesës se universiteteve në mbarë vendinë
Eshtë folur dhe ndoshta nuk do të jetë e largët dita kur edhe në Berat të çelet një universitet i ri. Si do të emërtohet aië Nën realitetin e një qytetërimi afro 2500-vjeçarë
Po mbetemi kështu në portat e një dileme me dy standarde!
Por le t'i lë hamendësimet deri sa të vijë ajo ditë dhe të kthehem tek çështja.
Ndoshta koha, kur u hodh për treg mediatik, kjo çështje ishte paksa e nxituar dhe jo fort e pjekur, por gjithmonë duke vlerësuar kontributet e njerëzve tanë të mëdhenj të shekullit të shkuar, madje edhe më tej se ky shekull, do kisha frikën dhe drojen se kjo çështje, e ndryshimit të emrave të gjashtë universiteteve tona të rretheve, vetëm të rretheve, do vijë duke u platitur dhe do jetë koha, vetë politika dhe shoqëria, në nderim të Korçës, Vlorës, Shkodrës, Elbasanit, Gjirokastrës dhe Durrësit, por dhe të vlerave të mëdha të njerëzve që kanë bërë historinë e këtyre qyteteve dhe të mbarë kombit, të përdorin në etiketën e emërtimit të tyre thjesht, Universiteti i Vlorës, i Korçës, Shkodrës, Gjirokastrës, dhe të rinj që do të çelen në Berat e gjetkë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›