Masterat Shkencor, shtohen 195 kuota
Shtohen 195 kuota pranimi për programet e studimeve të ciklit të dytë, Master Shkencor, për vitin akademik 2010-2011. Me propozimin e ministrit të Arsimit, Këshilli i Ministrave vendosi dje që kuotat e pranimeve në institucionet publike të arsimit të lartë, për programet e studimeve të ciklit të dytë, për vitin akademik 2010 - 2011, të jenë 6715, nga 6520 që ishin më parë. Më konkretisht, 195 kuotat e reja janë shtuar vetëm për pranimet e reja për kandidatët brenda dhe jashtë vendit, që duan të vijojnë këto studime. Kështu, kuotat e pranimeve të reja për programet e studimit “Master i shkencave” do të jenë 6525, nga 6330 që ishin miratuar më parë. Ndërkohë që ka mbetur i pandryshuar numri i kuotave të pranimit për kategoritë e tjera të kandidatëve. Sipas vendimit, kuotat e pranimeve të reja, për programet e studimit të ciklit të dytë “Master i shkencave”, përbëhen nga: kuotat e pranimeve të reja për programet e studimit “Master i shkencave”, për aplikantët brenda territorit të vendit, që tani do të jenë 5873 nga 5700 që ishin; kuotat e pranimeve të reja për programet e studimit “Master i shkencave”, për aplikantët shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit, që janë bërë 652, nga 630 që ishin më parë.
Renditja e universiteteve, procesi mbyllet në verë
Procesi i renditjes së universiteteve, në bazë të programeve që ata ofrojnë, pritet të përfundojë gjatë muajve qershor- korrik të këtij viti. Sipas të dhënave që raportojnë përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit, ky proces nuk është mirëpritur nga të gjitha universitetet publike dhe private, një nga të cilët është Universiteti i Tiranës. Nga pikëpamja ligjore, nëse këto universitete nuk do të marrin pjesë në këtë proces, nuk penalizohen, por ato pritet të humbasin besueshmërinë te studentët, për programet që ofrojnë. “Procesi, sipas kontratës që kemi me kompaninë e renditjes, pritet që të përfundojnë në fund të muajit qershor dhe në fillim të muajit korrik. Një pjesë e universiteteve private do të seleksionohen, sepse jo të gjitha e përmbushin kushtin që është vendosur nga Ministria, në bashkëpunim me kompaninë, që duhet të jenë minimalisht 3 vjet institucionet në treg. Është një tregues, nëse një universitet tregon rezerva ndaj renditjes, pa i argumentuar këto do të thotë që ky universitet jep një shkas për të ulur besueshmërinë në këtë institucion mbi programet që ofrohen”, - shpjegon drejtori i Zhvillimit të Arsimit Privat në MASH, Arjan Shahini. Mospjesëmarrjen në procesin e renditjes, Universiteti i Tiranës e ka bërë publik edhe më parë, me startimin e kësaj nisme. Motivacioni ka qenë njëherë akreditimi dhe më pas renditja, procese këto që sipas autoriteteve të MASH, nuk kanë lidhje me njëra- tjetrën dhe që po keqkuptohen stafet pedagogjike të universiteteve. Por, përveç Universitetit të Tiranës, mësohet se janë edhe dy universitete private që nuk e kanë pranuar këtë proces. Lidhur me këtë situatë, rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule deklaron se ai është i nxituar ndaj dhe senati ka vendosur që Universiteti i Tiranës të tërhiqet nga vlerësimi me pikë. Sipas Kules, renditja e shkollave të larta sipas cilësisë nuk duhet t’i paraprijë akreditimit, ku ky i fundit përcakton shkollat që plotësojnë vërtet standardet. Por, pavarësisht tërheqjes së tre universiteteve nga ky proces, Ministria e Arsimit deklaron se do kryejë vlerësimin me shkollat e tjera publike dhe private. Tashmë procesi i vlerësimit të universiteteve, në përfundim të të cilët do të mësohet edhe vlera e diplomave që ata lëshojnë, ka nisur dhe gjatë këtij muaji, në universitetet publike dhe private do të shpërndahet një pyetësor i detajuar, që do të plotësohet nga studentët dhe pedagogët, nëpërmjet përgjigjeve të të cilëve, do të verifikohet niveli i çdo universiteti. Kështu, pedagogë e studentë do të kenë mundësinë të vlerësojnë ose jo cilësinë e universitetit që ndjekin, por edhe të programeve mësimore dhe stafit të profesorëve.